Komisionit për Buxhet dhe Financa ka kritikuar menaxhmentin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për tejkalimin e shpenzimeve në tremujorin e parë të vitit 2017.
Po ashtu RTK-ja u kritikua edhe sa i përket mos deklarimit të listës së punëtorëve, pagave dhe mëditjeve, si dhe shërbimeve telefonike, ku u tha se për tre mujorin e parë u shpenzuan 12 mijë euro.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti gjatë raportimit të tij para këtij komisioni u arsyetua duke thënë se kanë arritur të bëjnë një balancë të shpenzimeve dhe se sipas tij mediumi publik krahasuar me vitet e kaluara ka ulur shpenzimet.
“Ky raport megjithatë ka ndryshime nga ato të parashikuarat që lidhen me marketingun ne prapë kemi arritur që ta mbajmë një balancë me të shpenzuarat, kemi shpenzuar edhe më pak ashtu siç edhe të parashikuarat janë më pak”, ka thënë ai.
Halil Bajramaj, përfaqësues i financave në këtë medium, pranoi se për tre muajit e parë të 2017-së kanë tejkaluar shpenzimet për mallra dhe shërbime.
Ai tha se për këtë periudhë kanë parapri shpenzime në vlerë 3 milionë euro.
“Tek mallrat dhe shërbimet tejkalim ka te pjesa e TVSh-së në pikën 1 480, në kodin buxhetor ku përfshin 23 për qind të shpenzimeve të përgjithshme. Këtë në bazë të rekomandimeve të auditorit të jashtëm dhe në bazë të ligjit për faljen e borxheve publike na është dashur ta shlyejmë këtë borxh në emër të kërkesave të TVSh-së prej ATK-së”, arsyetoi ai.
E me këtë raport nuk u pajtuan deputetët. Shqipe Pantina nga Vetëvendosje tha se çdo tejkalim mbi 10 për qind duhet të merret pëlqimi nga komisioni.
“Pse duhet me pas 12 mijë euro shpenzime telefoni kur sot përdorën viber e mjetet tjera të komunikimit”, tha ajo.
“Çdo tejkalim mbi 10 për qind duhet të merret pëlqimi i atij që e miraton buxhetin e që në këtë rast do të duhej të merrej pëlqimi i komisionit tonë”, tha ajo.
Deputetja Labinotë Demi-Murtezi kritikoi RTK-në për siç tha ajo mungesën e listës së punëtorëve dhe pagat e tyre.
“Ne kemi kërkuar që ju t’i sillini listat me emrat e punëtorëve, funksionet e tyre dhe pagat. Listat siç po shihet ne nuk i kemi dhe jemi marrë vesh që ato nuk duhet të jenë sekrete dhe nuk e di pse po vazhdojnë të mbeten sekrete”, tha Murtezi.
Deputetja Besa Gaxherri tha se pagat dhe mëditjet krahasuar me vitin paraprak janë zvogëluar për 100 mijë euro.
E deputetja Safete Hadergjonaj, tha se politika po bën presion të vazhdueshëm mbi RTK-në. Dhe për këtë kërkoi auditim.
Kryetari i këtij Komisioni, Naser Osmani, kërkoi nga kuvendi që të transferojë 2 milionë euro RTK-së.
Në fund Komisioni, pavarësisht vërejtjeve miratoi raportin e shpenzimeve për tre mujorin e kaluar dhe miratoi buxhetin për tre mujorin e ardhshëm.