Me 78 vota për, 13 kundër dhe 4 abstenime nuk ka kaluar Projektligji për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (RESPA).
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me UNMIK-un, derisa sqaroi që kjo organizatë është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe se Kosova nuk përfaqësohet si UNMIK, raporton Ekonomia Online.
“Nuk ka qenë qëllimi që të vij një marrëveshje e dëmshme. Situata ka filluar në 2006 kur UNMIK-u ka qenë themelues i shkollës, mirëpo UNMIK-u është tërheq dhe nuk ka lidhje me këtë. Bordi i RESPA-s në të cilin kanë qenë shtetet e rajonit unanimisht kanë pranu që me marrëveshje dhe fusnotë Kosova ka pranu që të jetë pjesë e shkollës rajonale.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kjo marrëveshje duhet të votohet, raporton EO.
“Nuk është i autorizuar asnjë ministër me i sjellë dokumentet që Kosova prezantohet si UNMIK. Atë që po don me thënë ministri është se shkolla është e themeluar nga BE-ja. Ne si Kosovë dhe si qeveri nuk do të bijmë në lajthitje që Kosova të votojë kësi dokumente”.
“Kryesuesi i kuvendit tha se Deklarata e kuvendit do të futet në marrëveshje me anë të së cilës Kosova nuk shkon me fusnotë, por me Republika e Kosovës edhe rezoluta e bordit të RESPA-s që ka marrë vendim që Kosova m’u njoftë si Republikë”.
Armend Zemaj, në emër të LDK-së, tha se duhet të sqarohet marrëveshja, raporton EO.
“Duke marrë për bazë problemet që ka kjo qeveri edhe marrëveshjet që kanë përfitime financiare, e shihni në interesa të ngushtë të përfitimit. LDK-ja e ka shqyrtuar këtë marrëveshje. Ne jemi të gatshëm ta votojmë, mirëpo ministri duhet të sqarojë se kush është nënshkrues në këtë fazë, sepse vendimi është marrë në kohën e UNMIK-ut”.
Memli Krasniqi, në emër të grupit të PDK-së, tha se e përkrahin këtë projektligj.
Ndërkaq, Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të VV-së tha se ata nuk do ta votojnë këtë marrëveshje, për shkak se Kosova në këtë marrëveshje shkon me fusnotë.
“Qevria e Kosovës nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për me zgjidhë çështjen e reprezentimit përmes UNMIK-ut. Unë mendoj që krejt problemet që kanë qenë të përfaqësuara nga UNMIK-u duhet t’i bartë Kosova. Kjo është e dëmshme dhe VV-ja nuk e voton këtë marrëveshje që nënshkrues për të është UNMIK-u”.