Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Projektligjin për financimin e subjekteve politike, si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, i cili është pjesë e grupit punues, ka bërë prezantimin e ndryshimeve të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ai tha se janë zvogëluar gjobat e subjekteve politike, që të mbrohen partitë e vogla.
“Grupi punues ka mbajtur takime ku kemi analizuar projektligjin, janë shqyrtuar gjitha komentet nga shoqëria civile e deputetët, kanë marrë pjesë përfaqësues të OSBE, ftesës nuk i janë përgjigjur sponzoruesit të cilët janë nga zyra e kryeministrit. Kemi zvogëluar gjobat e subjekteve politike, kjo është bërë në mënyrë që të mbrohen partitë e vogla sepse nuk e kanë mundësinë me përballu”, tha ai.
Osmani kërkoi që të gjitha amendamentet të votohen si pako, përveç amendamentit 9 dhe 73, ku me 8 vota pro dhe 1 abstenim janë votuar amendamentet tjera.
Kryesuesi i komisionit, Lumir Abdixhiku propozoi që gjobat të mbesin ato që kanë qenë. Sipas tij, nëse gjobat janë të vogla atëherë partitë politike gjatë fushatave zgjedhore shkelin më lehtë kodet e fushatës.
“Dënimet duhet të mbesin të tilla sepse partitë politike gjatë fushatës nëse janë gjoba të vogla i shkelin dhe i paguajnë më mirë me i pas gjobat më të larta që të mos i shkelin”, tha Abdixhiku.
Osmani tha se halli i tij është për partitë e vogla që e kanë të pamundur të paguajnë një shumë të lartë për gjobë, pasi partitë e mëdha munden t’i përballojnë.
“Unë nuk e kam problem si parti mund ta përballoj çfarë do lloj gjobe deri në 40 mijë euro, por partitë e vogla që kanë 6 deputetë dhe minoritetet që vijnë me dy deputetë nuk munden ta paguajnë këtë gjobë”, tha Osmani.
Por ky rekomandim i Osmanit nuk kaloi pasi që nuk gjeti mbështetjen e deputetëve.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, tha se reforma zgjedhore duhet të bëhet, sipas tij, edhe nëse ligjet lidhen me njëra tjetrën, prapë reforma është e rëndësishme.
“Nuk duhet me ndal punën e një ligji edhe nëse ka lidhshmëri njëra me tjetrën, reforma zgjedhore duhet të ndodhë por kanë kaluar 10 vite dhe nuk është bërë asgjë”, tha Kuci.
Rekomandimi i deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj, për financimin e partive politike në bazë të grupeve parlamentare u mbështet nga ky komision me 6 vota pro.
Felix Rafje nga zyra e BE-së, ka dhënë opinionet e tij për ndryshimet e këtyre projektligjeve.
“Opinioni i komisionit të Venedikut që është kërkuar vitin e kaluar nga zyra e kryeministrit, mendimi i komisionit të Venedikut dhe komentet tona që i kemi përpiluar ka qenë që të bëhet forcimi i Zyrës brenda KQZ-së e cila do të jetë në qendër të këtij projektligji dhe do siguronte transparencën dhe sanksionet”, tha Rafje.
Sipas tij, vendimmarrja për shkelje të ligjit, duhet të bëhet në mënyrë të pavarur nga partitë politike.
“Vendimmarrja për shkelje të ligjit në këto raste duhet bërë në mënyrë të pavarur nga partitë politike në KQZ, është e mundur që kjo zyrë të jetë e pavarur që të ketë linjën buxhetore të ndarë në kuadër të KQZ-së”, tha ai.
Rafje propozoi që ky projektligj të dërgohet edhe në komisionin ad-hoc i krijuar për procesin zgjedhor.
“Në komisionin Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor propozojmë që mundet ky projektligj të diskutohet edhe aty sepse ka të bëj me procesin zgjedhor dhe si zhvillohet fushata”, shtoi Rafje.
Në fund është shqyrtuar edhe projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe amendamentet e Komisionit funksional dhe amendamenteve të Komisionit funksional për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.