Nga partitë që janë marrë vesh deri më tani për ta votuar Demarkacionin është thënë se janë siguruar 78 vota. U duhen edhe dy vota për ta arritur qëllimin.
Lista Serbe dhe disa deputetë brenda partive që kanë arritur marrëveshje, janë parë si pengesë.
Nëse merret për bazë që deputetët e Listës Serbe zakonisht kanë ndryshuar qëndrim në çartet e fundit, atëherë mund të llogaritet se do të arrihen votat e mjaftueshme, edhe pse qëndrimi i tyre është kundër.
Qëndrim kundër ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Por, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha dje se brenda kësaj partie ka individë që kanë shprehur interesim për ta votuar marrëveshjen, edhe pse zyrtarë të saj e mohuan këtë.
Megjithatë, ka edhe deputetë nga partitë në pushtet, PDK, që e kundërshtojnë këtë. Është deputeti Nait Hasani, i cili ka shprehur rezerva të mëdha për këtë marrëveshje.
Nëse janë të sigurta 78 vota pro marrëveshjes, atëherë del se fati i gjithë këtij procesi mbetet të duart e dy deputetëve, të cilët eventualisht mund të ndryshojnë qëndrim.
Për më tepër, Kuvendi i Kosovës provon sot për herën e tretë ta ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Në dy herët e kaluara nuk u hodh fare në votim, pasi nuk i kishin votat e mjaftueshme.
Sot është përpjekja e tretë, ku partitë në pozitë PDK-AAK-Nisma-AKR dhe partia tjetër në opozitë, LDK, do të provojnë t’i sigurojnë 80 votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje.
Megjithatë, sot është paraparë të mbahet seanca e tretë prej orës 10:00.