Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe qëndrimin e VV-së për nismën e deputetëve për shfuqizimin e saj.
Ai tha se historia e inicimit të Ligjit për Gjykatën Speciale është e dhimbshme, tragjike dhe e neveritshme.
“Po të shikohet në tërësinë e vet, Gjykata Speciale është një histori e dhimbshme, tragjike dhe e neveritshme. Prej fillimit kemi pa një lojë të neveritshme të akterëve kryesorë…”, theksoi Kurteshi.
Ai po ashtu u shpreh se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë qenë të detyruar nga akterët kryesorë që t’i japin nënshkrimet e tyre për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“I kanë detyruar bashkëluftëtarët e tyre të mbledhin nënshkrimet për shfuqizimin e këtij Ligji. E tash del Kadri Veseli dhe thotë se Gjykata ka me u bë. Jam i prirë ta shoh këtë si një blof…”, tha ndër të tjera deputeti i VV, Sami Kurteshi në një intervistë për Telegrafin.
Duke folur për qëndrimet e Vetëvendosjes në lidhje me Gjykatën Speciale, ai tha se VV ka qenë gjithmonë parimore në këtë drejtim.
“Çdo vendim që është marr në Kuvend, e kemi analizuar me kujdes të madh. Nuk kemi lejuar që të bëhet lojë në emër të Thaçit e Veselit. Pa u heq shkaku nuk hiqet pasoja. Shkaku është Thaçi me miqtë e vet. Duhet ta shohim të ashtuquajturën Gjykatë Speciale në tërësinë e vet…Kemi pasur edhe veprime tjera që janë jashtëzakonisht të dëmshme, si demarkacioni, dialogu Kosovë-Serbi etj”, u shpreh Sami Kurteshi.