Anëtarët e komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal kanë shprehur shqetësimin me problemet që kanë disa biznese në mungesë të furnizimit me energji elektrike, raporton Ekonomia Online.
Në këtë komision teksa u miratua plani i punës për vitin 2019, kryetarja e komisionit, Sala Berisha Shala, tha se duhet të shihen këto probleme me energji tek këto biznese.
Sipas saj, si komision duhet të shikojnë se a është problemi tek ligjet që janë të zbatueshme apo tek KEDS-i.
“Propozoj që një kohë të caktuar të shkojmë ti vizitojmë këto biznese të shohim për së afërmi me çka ballafaqohen këto biznese edhe si Kuvend e kemi obligim me i dhënë kahje me i dhënë drejtim a është problemi ligjorë sepse prej tyne kam kërkuar që me letra ka ankesa edhe tek KEDS-i, ZRRE-ja, ata kanë thënë që kemi quar letra por kanë thënë që KEDS-i dhe ZRRE-ja se janë bazuar në ligj që ne ju kemi dhënë. Duhet me ditë që ligjet që i hartojmë në kuvend a janë pengesë për biznese, ne duhet me shiku nëse ato janë pengesë të ndryshohen ato ligje sepse nuk janë të pandryshueshme”, u shpreh Berisha Shala.
Në anën tjetër, anëtarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se problem me energji ka fabrika e ujit “Kika”, ku sipas saj, duhet të kërkohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të dihet se ku qëndron problemi.
Sipas Bajramit, problemi qëndron tek mungesa e tensionit të lartë në zonën ku operon kompania.
“Fabrika e ujit Kika ka problem me KEDS-in, ne si deputet krejt çka mundemi me bo është me kërkuar prej MZHE-së që ata të merren me këtë çështje. KEDS-i është arsyetuar se fabrika Kika operon në një zonë ku nuk ka tension të lartë edhe për ta pas tensionin e lartë KEDS-i siç operon në gjithë vendin kërkon që të ketë investim nga vet kompania. Kika mendojnë që tensionin e lartë me e bo KEDS-i vet. por KEDS-i kështu ka operuar që prej privatizimit”, tha Bajrami.
Pavarësisht probleme që kanë bizneset vendore, raporti i punës së këtij komisioni parasheh edhe vizita në kompani të ndryshme.
Deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala, propozoi se bizneset të vizitohen duke filluar që nga muaji prill dhe çdo muaj të ketë vizita të tilla
“Vizitat e bizneseve private me i filluar më herët së paku brenda muajit nga një vizitë me i vizituar bizneset të segmenteve të ndryshme. Me filluar nga prilli ndoshta është më mirë, këtu e kam pa që është qershor shtator e kështu me radhë”, tha Berisha Shala, raporton Ekonomia Online.
Por për deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, vizitat në këto kompani të kenë një arsyetim. Ajo tha se heziton të bëhen takime në biznese pa pasur ndonjë qëllim specifik.
“Edhe bizneseve prodhuese apo tregtare që dojmë me i i vizitu me i tregu paraprakisht se ne jemi duke e punuar këtë ligj dhe qëllimi i vizitës është që ju me e pa ligjin dhe me pa se ku i keni vërejtjet. Normalisht që na nuk mundemi me i marr vërejtjet e secilit biznes por në qoftëse na vlerësojmë që është e arsyeshme pse jo. Ose psh edhe çka kisha propozuar ndoshta bizneset përfituese të subvencionet edhe granteve të ndryshe nga ministrisë nuk ka lidhje dikush mundet me marr ndonjë grant prej ministrisë së Bujqësisë na nuk e përcjellim po si biznes mujm me pa efektet ose diçka të tillë ose tash udhëzimi administrativ i MTI-së për vendosjen e flamujve ose gjana të tilla. Vizita me një biznes pa një qëllim specifik unë po hezitoj. Tash na me pa këto janë politikat e qeverisë me pa ndikimin se çka”, tha Bajrami.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ngriti edhe një çështje tjetër, atë të projektligjit për Tregti të Jashtme dhe projektligjit për Tregti të Brendshme.
Ai propozoi që për këto dy projektligje të organizohen dëgjime publike, ani pse kërkoi të dihet edhe nga Qeveria se përse këto dy projektligje kanë ardhur të ndara në komision.
“Projektligji për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme e përmbyllë pakon e ligjeve që ndërlidhen më rregullimin e përgjithshëm të transaksioneve tregtare në ekonomi. Unë çka kisha propozuar në bazë të përvojës që kemi, që projektligjin për Tregti të jashtme dhe projektligjin për tregti të brendshme të organizojmë dëgjime publike ku sigurohemi që odat ekonomike dhe përfaqësuesit e tyre në këto industri të jenë prezent para se të hyjmë në amandamete. Qeveria e ka sjellë projektligjin për tregti të brendshme në shkurt dhe atë të jashtme në fund ttë shtatorit, Nëse mundemi ne si komision të kërkojmë prej qeverisë rreth ndarjes që është bo dhe logjikë”
Çështjen se këto dy projektligje të shqyrtohen si pako e ngriti edhe, kryetarja e komisionit, Sala Berisha Shala.
“E kemi projektligjet për tregtinë e brendshme dhe të jashtme nuk i kemi si pako por kanë ardhur të ndame. Nuk e di si është mundësia me i shqyrëtu si pako ato. Sigurisht që Qeveria kur e ka sjellë strategjinë legjislative të vitit 2019 e ka paraparë ashtu qysh mundet me i draftu dhe me i sjellë në Kuvend”
Ndër të tjera, komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal vendosi që të bëjnë edhe monitorime të projektligjeve si ai për Energjinë Elektrike.