Deputetë të Kuvendit të Kosovës vizituan sot Termocentralet e KEK-ut. Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Muharrem Nitaj, zëvendëskryetarja, Besa Gaxherri dhe anëtarët e komisionit, Salih Zyba, Salih Salihu dhe Andin Hoti u interesuan për gjendjen aktuale të termocentraleve, dhe me theks të veçantë u interesuan për temën qe tani është aktuale dhe shqetësimi me i madh i qytetarëve, ndotja e ambientit.
Në këtë vizitë ishte edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
“Me kënaqësinë me të madhe dhe sinqeritetin me të madh, se bashku edhe me drejtorët e tjerë, i prezantuam gjendjen reale se sa ndikojnë Termocentralet e KEK-ut në ndotjen e ambientit, çfarë investime janë bërë deri me tani për të përmirësuar gjendjen alarmante qe e kemi trashëguar, dhe çka parashihet të investohet deri në vitin 2021 për të qenë TC në harmoni të plotë me parametrat e lejuar të Bashkimit Evropian”, ka shkruar në Facebook, drejtori menaxhues në KEK, Njazi Thaqi.
“Deputetët, vizituan edhe objektet e Termocentralit “Kosova B” dhe u njoftuan nga afër me funksionimin tij. Po ashtu, me kërkesën e tyre shikuan nga afër edhe funksionimin e Elektro Filtrave për të cilët spekulohet në opinion qe çaktivizohen në raste të caktuara dhe si pasoj e kësaj shkaktohen ndotje të mëdha në ambient. Një gjë e tillë, siç i dëshmuam edhe deputetëve është e pamundur dhe nuk është në interesin e askujt e aq ma pak të punëtorëve të KEK-ut.
Biseduam për shumë çështje dhe i ofruam informacione për çdo pyetje të deputetëve dhe me theks të veçantë i sqaruam se KEK-u si gjigandi me i madh energjetik në rajon dhe vlera me e rëndësishme e shtetit nuk mund ta mohojmë se shkakton ndotje, por është spekulim i madh kur thuhet se është shkaktari kryesor i ndotjes”, shkruan më tej Thaqi.
Ai ka vazhduar se, KEK-u nuk hyn në mesin e ndotësve me të mëdhenjtë dhe nuk duhet të paragjykohet si i tillë, por, sipas tij, duhet të identifikohen shkaktarët e tjerë qe në sezonin e dimrit aktivizojnë ngrohjen me thëngjill dhe lëndë të tjera të djegës në mënyrë të pakontrolluar.
“Për informimin e të gjithëve, KEK-u në dhjetëvjeçarin e fundit ka mbyllur ciklin e investimeve të mëdha në përmasimin e ambientit duke investuar 57 milion Euro. Kemi larguar tonelata mbetje të hirit dhe materie të tjera të rrezikshme të grumbulluara shekuj me radhë. Kemi mbuluar dhe kthyer në gjelbërim qindra hektar tokë të degraduar. E kemi eliminuar njërin nga ndotësit permanent qe ka qenë bartja në sheriat të hapur të hirit duke e kthyer në transportues të mbyllur dhe qe shkaktojnë zero ndotje në hapësirë”.
Ai ka shkruar se kanë investuar në Elektro Filtrat e “Kosovës A” dhe e kemi sjellë në parametrat e lejuar të Bashkimit Evropian, ndërsa ka njoftuar se do të investojnë edhe 79 milionë euro në komponenten ambientale në Termocentralet e “Kosovës B”.
“3 Vitet e ardhshme me donacion të BE-se do të investojmë edhe 79 milion euro të tjera në komponenten ambijentale ne Termocentralet e “Kosovës B” ku parashihen ndêrrimi i elektro filterave sipas standardeve europiane dhe NOx.
“Pra, KEK-u nuk është ai qe flitet as kur paragjykohet, por është pasuria me e madhe e Kosovës dhe shtylla kryesore ekonomike për të cilën është punuar shumë dhe po vazhdojmë të punojmë për t’i sjellë energji elektrike këtij vendi me koston me të lirë të mundshme”, ka shkruar në Facebook, Thaqi.