Në konferencën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të shënimit të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, në fjalën e tij, kritikoi mungesën e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit egjiptian, raporton Ekonomia Online.
Berisha theksoi se edhe këtë vit Dita Memoriale e 24 qershorit nuk është trajtuar me dinjitetin e merituar.
“Duke qenë mik i komuniteti egjiptian kryeministër, ne duam të jemi të sinqertë me ju. Besoj që e pranoni dhe anën tjetër nga ky takim. Nuk kemi pasur koordinim në mënyrë që ky manifestim të jetë më dinjitoz. Ka disa mangësi. Nuk është emblema e egjiptianëve. Do të duhej të ishte prezentë. Është mangësi dhe e kemi autorin prezent.
As pas katër vjetësh nuk është arritur që 24 qershori të futej në Ligjin për festat zyrtare. Nuk e shoh redaksinë per komunitetin egjiptian edhe në këtë 24 qershor. Egjiptianet janë përjashtuar në shumë aktivitete. Ne po shkojmë drejt asilimimit për t’u solidarizuar me popullin me keqardhje ne nuk mund të jemi në koktejin e paraparë të këtij takimi.”, tha Berisha.