Deputeti egjiptian tregon pse e tërhoqi nënshkrimin për Deharin

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 19:59 | Nga

Nënshkrimin për një seancë të jashtëzakonshme ku do të flitej rreth vdekjes së Astrit Deharit e ka tërhequr edhe deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, i cili tha se tërhoqi nënshkrimin ngase vdekja e Deharit po politizohet.

“Unë kam dhënë nënshkrimin duke besuar që rasti nuk do të politizohet dhe seanca të mbahet pas daljes së fakteve nga organet e drejtësisë. Por, ky rast tash po tentohet të politizohet”, tha Berisha, i cili është pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së.

Berisha deklaroi se do të nënshkruajë çfarëdo iniciative që do ta ndriçojë këtë vrasje pa e politizuar atë.

“Nuk nënshkruaj nëse rasti i Astritit tentohet të politizohet, që të tentohet të akuzohet dikush akoma pa dalë rezultatet. Do të nënshkruaj çdo iniciativë që ka të bëjë me zbardhjen e së vërtetës së papolitizuar”, tha Berisha, për Kallxo.com

I pyetur nëse tërheqja vjen pas presionit, Berisha tha se ai nuk ndikohet nga to.

“Çka nënkupton presion unë nuk e di, por unë e kam kuptuar mbi atë bazë që ky rast po tentohet të politizohet. Jam për mbajtje të seancës por të mos akuzohet kurrkush që ka kry veprime, pa dalë rezultatet,” tha Berisha.

Berisha deklaroi se para daljes së rezultateve të autopsisë seanca është e ngutshme dhe se pas publikimit të këtyre rezultateve “do të kemi pasqyrë dhe kemi për çka të diskutojmë”.

Lëvizja “Vetëvendosje” në një konferencë për gazetarë tregoi sot sy dy herë brenda tri ditësh ka mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit ku do të diskutohej për vdekjen e Astrit Deharit, por në të dy herët sipas saj ka pasur tërheqje të nënshkrimeve të deputetëve për shkak të presionit.

Edhe Danush Ademi, i cili si Veton Berisha tërhoqi nënshkrimin, tha se nuk e ka bërë këtë nga presioni.

Rezultatet e autopsisë së trupit të Deharit pritet të publikohen deri në fund të javës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme