Termi “zgjedhje në dorë të fatit” përdoret pothuajse në mënyrë inflacioniste – veçanërisht në Evropën Lindore dhe Juglindore. Qofshin zgjedhjet presidenciale në Rumani, të cilat u shpallën të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese atje, zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji duke përfshirë protestat masive në vend, apo zgjedhjet e ardhshme në Kosovë: vendi i ardhshëm evropian është në udhëkryq.
Kështu shkruan gazeta e madhe gjermane “Berliner Zeitung” në një artikull që ia kushton zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, me titull “Zgjedhjet në Kosovë: Një vend i ri evropian në kërkim të stabilitetit”, ku lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konsiderohet si “shpresa e konservatorëve”.
Artikulli thekson se vendi ende po lufton me probleme të vazhdueshme si papunësia e lartë, institucionet e dobëta dhe ikja e trurit.
“Një vend që dëshiron stabilitet”, shkruan kjo gazetë.
“Berliner Zeitung” shkruan se marrëdhëniet me Serbinë fqinje mbeten tejet të tensionuara. Më tej thotë se vitet e fundit, ka pasur gjithashtu përleshje të përsëritura midis Kosovës dhe Serbisë – ndërsa në nëntor pati shpërthim në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Kjo gazetë kujton edhe bllokadat dhe tensionet në kufirin serbo-kosovar rreth tre vjet më parë.
Më tej, “Berliner Zeitung” thotë se rivali konservator i Kurtit, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mendon se ai ka shanse të mira për t’u bërë kryeministër i ardhshëm. Ai i premton Kosovës një fillim të ri: rimëkëmbja ekonomike, transparenca politike dhe lufta kundër korrupsionit të shfrenuar janë çështjet kryesore në vendin me 1.5 milion banorë.
Gazeta gjermane thotë se Abdixhiku synon një rritje ekonomike prej pesë për qind dhe dëshiron ta rrisë buxhetin e Kosovës në pesë miliardë euro.
Në të njëjtën kohë, thotë se ai është i përkushtuar për një afrim me BE-në. Ai paralajmëroi gjithashtu reforma në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.
Zgjedhjet e Kosovës janë në fokus edhe në Gjermani.
Peter Beyer, politikan i CDU-së dhe deputet i Bundestagut që nga viti 2009, ka simpati të fortë për kandidatin konservator të opozitës Abdixhiku. “Unë e njoh Lumir Abdixhikun për shumë vite dhe kam punuar suksesshëm me të në familjen e partive konservatore evropiane EPP”, tha Beyer për “Berliner Zeitung”.
“Ai shquhet si një lider politik i ri, por me përvojë dhe i sinqertë”, tha Beyer, i cili ishte koordinator për bashkëpunimin transatlantik nën Angela Merkel nga viti 2018 deri në 2022. “Ai është një njeri me një vizion që është realist në të njëjtën kohë: Ai e kupton që nevojiten urgjentisht reforma strukturore”, thotë politikani i CDU.
Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës
Në mënyrë të ngjashme situatën në Ballkanin Perëndimor e analizon edhe politologu Ulrich Schlie. “Në sfondin e situatës politike në Evropë, zhvillimi i ardhshëm i Kosovës është i një rëndësie vendimtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, thotë profesori i kërkimeve të sigurisë dhe strategjisë në Universitetin e Bonit. “Që të realizohet perspektiva evropiane për Kosovën në një të ardhme të afërt, ne kemi nevojë për politikanë që, sikurse Abdixhiku, janë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane”, thotë Schlie.
Gjermania, partneri i dytë më i rëndësishëm tregtar i Kosovës, është një nga shtetet e para që e njohu vendin sipas ligjit ndërkombëtar pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Përveç kësaj, qindra mijëra refugjatë erdhën në Gjermani gjatë konfliktit në fund të viteve 1990. Sot, rreth gjysmë milioni njerëz me kombësi apo origjinë kosovare jetojnë në Gjermani – diaspora më e madhe kosovare në botë.