Deputeti i AAK-së thotë se tani s’mund të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë

Prishtinë | 18 Nën 2018 | 08:10 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndonëse nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj,  tema e shkëmbimit të territoreve vazhdon të quhet ide e rrezikshme e që zvogëlon aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, deputetë të kësaj partie kanë thënë se Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës dhe pastaj të bisedohet për tema mes dy shteteve.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe shef i grupit parlamentar, në një bisedë për Ekonomia Online ka lënë të hapur mundësinë për bisedime me Serbinë për shkëmbim territoresh dhe tema të tjera, por vetëm pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia.

“Kosova duhet të vitalizohet si shtet në të gjitha institucionet duhet të jetë e integruar në mekanizmat ndërkombëtare dhe kjo pastaj krijon mundësinë për tema të tjera e sidomos kur kemi parasysh dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, njëherë duhet të jetë njohja reciproke mes dy shteteve, pastaj ka shumë tema të cilat mund të diskutohen”.

“Shkëmbim territoresh nuk mund të ketë këtë moment kur Serbia ende mban Kosovën në kushtetutën e saj, ende e pengon Kosovën në Integrime, madje edhe përkundër marrëveshjes që është arritur që të mos pengohen shtetet ndërsjellë njëra tjetrës. Serbia vazhdon që të lobojë për kthimin e njohjeve që kanë bërë shtetet për mos-anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë dhe për manipulimin e pakicës serbe që ekziston në Kosovë. Kjo mënyrë e sjelljes së Serbisë tregon se nuk mund të hysh në një dialog të suksesshëm meqë kemi të bëjmë me një armik i cili ende nuk është kthjellur dhe ende nuk ka ofruar një demokraci të brendshme dhe nuk ka një raport të mirë me Kosovë”, tha Isufi.

Ndërkaq, zërat për rrëzim të qeverisë dhe prishje të koalicionit i ka quajtur jo serioz dhe të panevojshëm pasi që sipas tij Kosova ka tema më të rëndësishme përpara vetës.

“Koalicioni është duke funksionuar përkundër të disa përpjekjeve që bëhen nga ana e Listës Serbe që bëhen nga Beogradi e herë pas here bëjnë reagime por konsiderojmë që nuk është koha e zgjedhjeve për shkak të proceseve të rëndësishme të Kosovës. Pa marrë parasysh pozitë-opozitë duhet të punojmë në këtë drejtim që të fitoj Kosova në këto procese dhe kur fiton Kosova normalisht është mirë për të gjithë. Prandaj në tema të tilla nuk është mirë të kërkohen zgjedhje kur kemi parasysh pozitën e partive opozitare të cilat nuk janë as ato të gatshme që të shkojnë në zgjedhje por kanë fjalor të përditshëm për elektoratin e tyre dhe ne e kuptojmë”, tha Isufi.

Isufi është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, derisa skepticizmin e shteteve kundër liberalizimit të  vizave e ka quajtur të padrejtë.

“Ushtria është në dorën tonë dhe e bëjmë për shkak se është në fazën e amendamentit të tri ligjeve të FSK-së, në komisione dhe do të bëhet se shpejti. INTERPOL-i besojmë që do të jetë vendim pozitiv, për shkak se shumica e shteteve veç po deklarohen që janë në përkrahje dhe liberalizimi i vizave siç e keni parë është një proces që i takon Kosovës, i ka takuar edhe më herët, është një padrejtësi që ju ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës dhe i keni parë edhe reagimet e eurodeputetëve në kohët e fundit, ishte edhe reagimi i ministrit të jashtëm të Hungarisë që theksoi që nuk është mirë që Evropa të sillet kështu me Kosovën, për shkak se është i vetmi vend i izoluar dhe kjo geto që i bëhet Kosovës e ulë edhe nivelin e asaj që quhet demokraci e Evropës”, tha ai.

Të ngjashme