Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e protestës së nesërme kundër shtrenjtimit të energjisë.
Por, kjo nuk do të thotë që votuesit dhe mbështetësit e kësaj partie nuk mund të jenë pjesë e saj.
Kështu, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshgaj.
“Mbështetësit tonë dhe votuesit tonë të cilët e ndiejnë veten të rrezikuar kanë të drejtë të protestojnë si çdo qytetar tjetër i subjektit tjetër politik. Pra, këtu nuk bëhet fjalë më për mbështetje të programeve partiake të ndonjë subjekti politik, këtu bëhet fjalë drejtpërsëdrejti për mirëqenien e qytetarit, për rrezikimin e mirëqenies se tij”, ka thënë ai.
Ndërsa, për paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për mospërfshirje në shtrenjtim të rrymës të katër komunave veriore, Dreshaj ka një përgjigje.
“Unë s’kam koment për këtë. Kosova është një e tërë, një ligj vlen për tërë territorin e Kosovës”, është shprehur shkurt ai.
Kurse, ka treguar se cilat do të jenë hapat e ardhshëm në rast se merret vendim për shtrenjtim të energjisë.
”Ne kemi marrë shumë hapa deri më sot…. Ne kemi hasur në vesh të shurdhër, këtë kërkesë e ka bërë kryetari Haradinaj dhe deri më sot nuk kemi pas reflektim as në drejtim të blerjes paraprake të energjisë për kontraktim në kohën më të përshtatshme, nuk kemi has në vesh të mirë as në drejtim të gazit amerikan i cili ka pas të vie në Kosovë dhe njëkohësisht as tash nuk po hasim në vesh të dëgjueshëm nga ana e Qeverisë lidhur me mosshtrenjtimin e energjisë”, ka thënë Dreshaj.
Ndryshe, nesër me fillim nga ora 14:00, partia Socialdemokrate do të organizojë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.