Deputeti i Bundestagut e sheh ende të pazgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Deputeti gjerman i SPD-së, Adis Ahmetoviq e interpretoi njoftimin e Serbisë për heqjen e barrikadave si një shenjë të mirë.

Në një paraqitje të enjten në mëngjes në “RBB 24 Inforadio”, ai theksoi se megjithatë konflikti mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të përfundojë.

“Përderisa qeveria serbe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të ketë këtë konflikt mes dy vendeve”, deklaroi Ahmetoviq.

Deputeti gjerman shpjegoi se tani duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë më pas.

Ai shprehu frikën se konflikti mund të përshkallëzohet më tej, sepse: “Nëse ne (si BE) përpiqemi të demokratizojmë më tej Kosovën dhe të forcojmë integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, qeveria serbe në anën tjetër do të përpiqet të përshkallëzojë (situatën)”.

Në këtë kontekst, eksperti i politikës së jashtme iu referua rolit të Rusëve. Ahmetoviq supozon se Rusia po përpiqet të destabilizojë BE-në si një konstrukt demokratik.

“Me qeverinë serbe, ekziston një krah i zgjatur i Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Si do të destabilizohet BE-ja? Duke nxitur problemet në Kosovë”, potencoi deputeti i SPD-së i Bundestagut, Adis Ahmetoviq.

Të ngjashme