Në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar sesioni i dytë i mbledhjes së pestë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, ku u diskutua për liberalizimin e vizave.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Lucas Mandel bëri të qartë kosovarëve se nuk do të kenë shanse të fitojnë azil ne vendet e BE-së pas heqjes së vizave, pasi e vlerësoi Kosovën si vend stabil, raporton Ekonomia Online.
“Nuk ka asnjë lloj shans për azil nëse Kosova është vend stabil. Është pra ekonomia që është e rëndësishme”.
Deputetja Blerta Deliu – Kodra, që është edhe kryetare e komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, e vlerësoi tejet të rëndësishëm votimi pro liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian.
Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve në pjesën e mbetur në mënyrë që kosovarëve tu hiqen vizat.
“Presim edhe mbështetjen tuaj që ky proces të marrë epilog pozitiv për lëvizjen e qytetarëve. Do të vazhdojmë për t’i garantuar shtetet anëtare që Kosova do të respektojë obligimet e saj”.
Në këtë takim u diskutua edhe për sundimin e ligjit. Deputeti i PE-së, Lucas Mandel, vlerësoi se Kosova ka nevojë për besimin e qytetarëve dhe ky besim sipas tij, është i lidhur me sundimin e ligjit.
Ai ka thënë se krijimi i vendeve të punës është i lidhur ngushtë me funksionimin e ligjit, raporton EO.
“Të rinjtë kanë nevojë për vende pune prandaj duhen investime. Kemi kompani që s’kanë problem me sundimin e ligjit. Por kemi edhe kompani që ankohen për sundimin e ligjit. Nëse ekziston mendësia e mos sundimit të ligjit nuk mund të këtë vende pune”.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se është e rëndësishme që institucionet bëjnë punë të prekshme në forcimin e sundimit të ligjit.
“Me qëllim te fuqizimit të gjyqësorit është krijuar pakoja e ligjeve për gjyqësorin. Indikator tjetër i rëndësishëm është edhe rritja e buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial”.
Ajo shtoi se aspekt i rëndësishëm është edhe përmbushja e agjendës së reformave evropiane ERA.
Ndërsa deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu deklaroi se Kosova vazhdon të ketë probleme me sundimin e ligjit.
“Projektligji për zgjerimin e kompetencave për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme. E kemi në ligj por nuk është zbatuar”.
“Ka pasur mungesë të vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Nuk ka pasur Gjykatë Speciale për rastet e korrupsionit, nuk e kemi një gjykatë që barazohet me Prokurorinë Speciale”.
Ajo theksoi se shumë raste të korrupsionit janë hedhur poshtë si pasojë e mungesës së profesionalizmit dhe se korrupsioni nuk po luftohet te njerëzit me pozita të larta.
“Është koha e fundit kur Kosova duhet të miratojë ligjin anti-mafia dhe këtu edhe roli juaj është i rëndësishëm. Duhet aplikuar vetingun, kjo do të ndikonte që të kishte njerëz të pastër”.
Haxhiu ka përmendur edhe rastin e veteranëve dhe dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, ku tha se ai është kërcënuar dhe i ofenduar.
“Është dashur që këto të ndalen ndaj tij për shkak se në të ardhmen nuk do të guxojë asnjë prokuror të merret me tema te ndjeshme. Ka pasur tendencë për diskretimim të kësaj lënde duke futur veteranë të vërtetë në listat e veteranëve të rrejshëm”.
Por Arben Gashi, nga LDK-ja vlerëson se sundimin e ligjit duhet parë edhe nga ana optimiste. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme edhe drejtësia civile.
“Kemi probleme të mëdha ku lëndët mbesin me vite të tëra pa u gjykuar, duhet të fokusohemi në këtë. Qytetarët problemin më të mëdha e kanë drejtësinë civile, duhet tu japim prioritet këtyre çështje. Drejtat e grave shkelen”.
“Një element që nuk përmend këtu ka të bëjë me Dhomat e Specializuara për krimet e dyshuara gjatë luftës. Ne përkrahim që sa me shpejtë këto dhoma të fillojnë punën e tyre. Kam vërejtje për partnerët ndërkombëtar, sa vite u bënë dhe s’ka diçka konkrete”.