Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se qeveria në ikje dhe ministri në ikje po vazhdojnë ti mashtrojnë qytetarët.
Deklarata e Ministrit në ikje që papunësia në Kosovë ka shënuar rënie në 6.6% brenda një muaji është politike dhe shumë jo profesionale, ka shkruar Hoxha.
Postimi i plotë:
Kjo qeveri në ikje dhe ky Ministër i Financave për veç që nuk krijuan strategji të mirëfilltë për ti ndihmuar bizneset private nga Pandemia, ata po vazhdojnë që pa fije turpi ti mashtrojnë qytetarët e vendit. Deklarata e Ministrit në ikje që papunësia në Kosovë ka shënuar rënie në 6.6% brenda një muaji është politike dhe shumë jo profesionale.
Për të argumentuar faktin që kjo deklaratë është jo profesionale po citoj disa të dhëna nga hulumtimet e fundit të institucioneve përgjegjëse të cilat e demantojnë deklarimin e Ministrit Bislimi:
– Bazuar në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi regjistrimin Ndërmarrjeve Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2020 vërehet qartë që numri regjistrimit të bizneseve në (TM1) 2020 krahasuar me (TM4) 2019 ka shënuar rënie prej (-9.94%).
Odat Ekonomike të Kosovës kanë kryer një hulumtim të përbashkët për ndikimin e Covid-19 në sektorin privat në Kosovë, të dhënat nga ky hulumtim tregojnë se:
– rreth 95% e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative. Mbi 92% e bizneseve kanë deklaruar se kanë përjetuar zvogëlim të shitjeve si pasojë e masave kufizuese, prej të cilëve rreth 48% kanë raportuar rënie më madhe se 75%, derisa çereku i të anketuarve ka raportuar zvogëlim të shitjeve në normën mbi 90%.
– 39% e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht
– 30.7% e ndërmarrjeve punojnë me kapacitet të reduktuar
– 13.8% e ndërmarrjeve punojnë me orar të shkurtuar
– Mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID19 rrezikon mbijetesën e tyre
-Mbi 65% e ndërmarrjeve mikro dhe ato të vogla u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari ndjehet sektori i ndërtimtarisë me 75%, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë (57.3%), prodhimtaria (56.6%) dhe tregtia me shumicë (54.7%).
-Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare (78% e respodentëve), mungesë likuiditeti (44%), jo efikasitet në punë (40%), humbje të kapaciteteve prodhuese (27%).
Vetëm rreth 2% e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak nga Pandemia, e Ministri pa fije turpi gjen kohë t’i mashtroi qytetarët që papunësia në Kosovë ka shënuar rënie.
Ministër kryej punët tua për çka paguhesh, e sa i përket statistikave tjetërkush është përgjegjës.