Hisen Berisha, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka dalë para veteranëve, të cilët po protestojnë brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të tyre ku ka thënë se ata kanë të drejtë në kërkesat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Por Berisha tha se nuk duhet të bëjnë protesta të dhunshme, duke lënduar policë, dhe duke dëmtuar objektet.
“Ne jemi shumë sepse jemi ata që e kemi bërë luftën, kemi sjellë lirinë dhe e kemi bërë këtë shtet. Ju keni të drejtë për çdo gjë por këto institucione, këta policë janë tanët. Janë rezultat i gjakut të dëshmorëve andaj duhet t’i mbrojmë dhe t’i lëndojmë. Mos gaboni të dëmtoni asgjë. Nëse e prek policin, prek në gjak të dëshmorit, prek në atë që e kemi luftuar për liri”, ka thënë ai.
“Këto institucione këto rrugë, këta policë që janë detyruar të mbrojnë institucionet janë tonat, i kemi bo na. Janë si rezultat i gjakut tonë, i veteranëve. Mos guxoni me prek as edhe një pemë në këtë vend, e lëre Zot me prek Policin e Institucionin. Ashtu siç trajtohet vlera e Adem Jasharit, ashtu duhet të trajtohet çdo veteran”, tha tutje Berisha.
Ndërkohë, veteranët kanë kërkuar që kësaj proteste t’i bashkëngjiten edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.