Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se janë në pritje të një përgjigjeje nga LDK dhe PSD lidhur me organizimin e një proteste, ndërsa i është kundërpërgjigjur dy nënkryetarëve të LDK-së, Haki Rugovës dhe Agim Veliut, të cilët kanë kundërshtuar idenë për protestë.
“Kish me qenë shumë datë e mirë nëse vazhdojnë bisedimet dhe dakordohemi me faktorët tjerë. Ne nuk e vendosim datën para se të diskutojmë me faktorët tjerë, por për mua kish me qenë datë e mirë. Nuk është moment që të them se a do të bëjmë protesta pa përkrahjen e tyre, mirëpo ne u kemi bërë ftesë dhe po presim përgjigje. Ne i respektojmë mendimin e tyre përdersia po bëjmë ftesë”, ka thënë Selimi.
Ditë më parë në deklarata të ndara, kundër ftesës së Vetëvendosjes dolën dy nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e Haki Rugova.
Madje Rugova u tregua i ashpër kur tha se “kur ka ba LDK-ja protesta, Vetëvendosje nuk ka qenë e leme”.
“Dëgjoni, nuk është vendim personal që mund ta bëj une. Një vendim të tillë e dinë Kryesia bashkë me kryetarin Isa Mustafa, askush tjetër. Ne në parim si parti nuk jemi për protesta dhe nuk kemi qenë asnjëherë. Kur kemi bërë ne si parti protesta në periudha më të rënda, ata s’janë kërkun, as nuk janë kanë të lemë. Edhe tash nuk është te na vlerë e partisë. Brenda institucioneve provojmë me i zgjidhë problemet’’, kishte thënë Rugova.
E sipas deputetit Selimi dy nënkryetarët e LDK-së mund të mos dalin në protesta. Por ai vlerëson se kjo parti ka edhe shumë anëtarë tjerë që mund të protestojnë.
“Atëherë mos të vijnë ata në protestë, ka anëtarë tjerë boll. Sa i përket nënkryetarëve s’do të thotë që krejt LDK-ja me qenë për protestë, ata mund të mos dalin”, ka deklaruar Rexhep Selimi për Insajderin.
Duke komentuar takimin e presidentit Thaçi me liderët e Luginës, deputeti i VV-së ka vlerësuar se presidenti po tenton të manipulojë me faktorin politik në atë zonë.
“Thaçi po vazhdon me manipulu me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Edhe ky takim është thjesht tentim për manipulim të këtij faktori”, u shpreh ai.
Kur flet për mundësinë që Kuvendi ta miratojë një rezolutë që Lugina të bashkohet me Kosovën, Selimi përmend numrin e madh të rezolutave që pikërisht Thaçi nuk i ka respektuar.
“Ajo që është me rëndësi është se Parlamenti i Kosovës ka nxjerr rezoluta por Thaçi kurrë nuk i ka respektu. Madje ka nxjerrë rezoluta edhe për Luginën dhe nuk i ka respektuar. Ashtu siç e ka gënjyer opinionin deri këtu, tash ka dalur edhe jashtë kufijve të Kosovës për t’i gënjyer edhe ata në Luginë.Ajo që flet ai s’ka të bëj me realitetin, dhe me atë që tashmë është marrë vesh në mënyrë sekrete me Vuçiqin”, përfundoi Rexhep Selimi.