Deputeti i VV-së: Serbia hyri me të dyja këmbët në Qeverinë ilegale të Hotit

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese rastin e deputetit të dënuar Etem Arifii cili votoi pro Qeverisë Hoti që, sipas tyre, e bën këtë qeveri të paligjshme.

Deputeti i kësaj partie Fitim Uka ka ngritur dyshime se i gjithë procesi i votimit të Qeverisë Hoti – të cilës i është referuar si ilegale – është i kontestueshëm.

“I tërë procesi, mbase jo vetëm kjo sekuencë e veçantë e votimit të qeverisë ilegale të Avdullah Hotit është i kontestueshëm. E para dhe më e rëndësishmja kjo që sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese është që ne kemi një votë të deputetit Etem Arifi i cili, me aq sa ne kemi informacione, është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim. Ka një vendim të gjykatës dhe ai do të duhej të respektohet”, ka thënë Uka në Klan Kosova.

“Një votë që determinon fatin e një populli dhe vjen nga një personalitet që është i dënuar nga gjykata. Ne kemi arsye të shëndoshë për të besuar se vota e tillë është jokushtetuese, por besoj se edhe i gjithë procesi që e ka përcjellë zgjedhjen e qeverisë ilegale është gjithashtu i dyshimtë”.

Uka ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe pse besimi në këtë institucion është zbehur pas vendimit të fundit, sepse po përpiqet që të tregojë shembullin e respektimit të institucioneve.

Ai e ka përmendur edhe votën e deputetit Haxhi Shala të cilën po ashtu e ka konsideruar të kontestueshme, pasi i njëjti ka thënë se po e voton Qeverinë Hoti për hatër të presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Deputeti i Vetëvendosjes ka kritikuar LDK-në për koalicionin me Listën Serbe, duke shtuar se Qeveria Hoti varet krejtësisht nga Lista Serbe. Ai ka thënë po ashtu se e njëjta parti ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti, por nuk ka pasur kaq rol përcaktues.

“Për një kohë të gjatë kemi dëgjuar deklarata të zyrtarëve të LDK-së që na trumpetojnë moral politik dhe thonë se s’do të bëjnë kurrë koalicion me Listën Serbe, ndërkaq ky koalicion varet kryëkëput nga Lista Serbe që është dëshmuar që është nën direktivat e Beogradit”.

“Ka dallim shumë të madh në mes të pjesëmarrjes që nuk e kushtëzon qeverinë dhe pjesëmarrjes që e kushtëzon qeverinë. Efekti i pjesëmarrjes së Listës Serbe në këtë qeveri është lart më i madh sesa efekti i pjesëmarrjes së Listës Serbe në Qeverinë Kurti. Ata kanë sjellë Goran Rakiqin për zëvendëskryeministër dhe ka një lloj impakti krejt tjetër prej pozitave që ata kishin në Qeverinë Kurti. Mbi të gjitha është e rëndësishme të thuhet se vet zyrtarët e LDK-së kanë trumpetuar që nuk do të pranonin kurrë qeveri që varet nga Lista Serbe. Nga kush varet kjo qeveri kur 10 vota janë të Listës Serbe?”.

Fotografia e zyrës së zëvendëskryeminsitrit Goran Rakiq ku nuk shiheshin simbolet shtetërore ngjalli shumë debat, ndonëse një gjë e tillë u mohua nga kryeministri Avdullah Hoti.

Por, as Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte respektuar simbolet shtetërore derisa ishte në opozitë – sjellje që ndryshoi sapo erdhën në pushtet.

“Ajo çfarë duhet të pranojmë është ky realitet: Që prej momentit kur Lëvizja Vetëvendosje ka qenë pjesë e institucioneve në asnjë moment nuk ka injoruar simbolet e shtetit dhe i ka respektuar ato. Zëvendëskryeministri i kësaj qeverie ilegale nuk respekton simbolet dhe nuk i mban ato në zyrën e tij”.

“Problemi kryesor nuk ka të bëjë me simbolet. Problemi kryesor është fakti që e kemi Serbinë me të dyja këmbët në Qeverinë e Kosovës dhe në një formë ose tjetër kontrollon politikëbërjen në Kosovë. Një prej argumenteve kryesore për këtë është heqja e reciprocitetit, që ishte nga vendimet e para të kësaj qeverie”.

Të ngjashme