Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku, ka thënë se partia në pushtet po e ndjek avazin e vjetër duke punësuar familjarë në ndërmarrje e institucionet e tjera, ndonëse thotë se me kauzë të kundërt kanë ardhur në pushtet, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po i përzgjedh ish-anëtarë të partisë nëpër pozitat kyçe.
Bunjaku ka thënë se qytetarët “kanë me u ngi Albin”, pasi kanë mbetur edhe dy vite deri në përfundim të mandatit.
“Kjo Qeveri ka ardhë në pushtet me kauzë se ‘ne do ta luftojmë nepotizmin dhe familjarizmin’ ndërsa gjithkund ka nepotizëm dhe familjarizëm. Në Komisionin për Ekonomi, kolegu im Pal Lekaj i tregoi me emra dhe mbiemra njerëzit e Lëvizjes, të cilët kanë qenë kandidatë nëpër lista zgjedhore dhe tani po mundohen me i caktu në pozita kyçe”.
“Krejt kohën kanë akuzuar partitë e tjera dhe absolutisht kjo qeveri nuk di tjetër, pos me u anku në 20-vjeçarin e kaluar, por harron që ne në 2008-ën jemi bërë shtet. Matematikisht s’po dinë me kalkulu mirë”.
“Qytetarët është mirë me kuptu drejt këtë qeverisje të zotit Kurti. Edhe këto 2 vite të cilat i kanë mbetur besoj që qytetarët kanë me u ngi Albin dhe në të ardhmen kanë me pa se si udhëheqet me shtetin, si punohet me shtetin dhe si veprohet me shtetin, jo në këtë mënyrë të padrejtë karshi qytetarëve”, u shpreh Bunjaku, e cila beson se LDK-ja do të vijë në pushtet.
Ajo tha se ekzekutivi ka bërë padrejtësi edhe në çështjen e vlerësimit të koeficientit në Ligjin e ri të Pagave. Sipas saj, në kategori të ndryshme ka zbritur pagën, e dikund tjetër ka larguar përvojën e punës.
“Këtu kemi shumë padrejtësi s’po di prej cilit sektor me fillu. Po edhe 105 euro koeficienti ku shumë punëtorëve iu është zbritur paga; dikujt i është rritur për pak; mandej dikun i kanë heqë shtesat, e kanë largu edhe përvojën e punës e kanë zbrit përvojën e punës dhe kështu me radhë. Kjo është një mashtrim optik për qytetarët tanë”, tha Bunjaku.