Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka ftuar Qeverinë që t’i thërrasin përfaqësuesit e sindikatave dhe të bisedojnë rreth shqetësimeve që ata kanë.
Ajo në Kuvend tha se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati kanë deklaruar se kemi rritje ekonomike.
Tutja ajo ka thënë se nuk po shihet askund rritja ekonomike përveç rritjes enorme të çmimeve.
“Kryeministri e ministri i Financave thanë që rritja ekonomike është më e larta në historinë e Kosovës, por nëse ky buxhet është më i madhi atëherë pse kërkesat e sindikatave nuk trajtohen dhe nuk merren seriozisht. Rritja ekonomike nuk po shihet askund, po shohim vetem rritje enorme të çmimeve. Ftoni sindikatat diskutoni e dialogoni”.
Ajo u shpreh se dikur Kurti ka mbështetur përfaqësuesit e sindikatave, ndërsa tani kërkon të ndërrohen këtë përfaqësues.
“Në nëntor të vitit 2019 kryeministri i tanishëm kurti kishte organizuar tryezë me krerët e sindikatave kryesore të vendit. Më 11 nëntor të 2019-ës kryeministri Kurti kishte pritur përfaqësuesit e sindikatave të arsimit, shëndetësisë, kujtojmë faktin se shqetësimi i tyre kishte qenë ligji i pagave dhe ligji për pensionimin e parakohshëm të policisë. Nëntë muaj më vonë sa janë në pushtet kuptuam se kjo paraqitje ishte farsë propagandistike, sepse nuk ishte as qëllim e as mënyrë si të forcohen sindikatat, i kishte përkrahur sa ishte por sot z.Kurti nuk i pret më”.