Safete Hadërgjonaj, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës ka treguar se përmes telefonit dhe rrjeteve sociale ka marrë kërcënime nga të panjohur për çështjen e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Hadërgjonaj Ajo ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në telefonin privat ka marrë disa mesazhe kërcënuese, nga persona siç thotë, të njohur dhe të panjohur.
“Më kanë ardhur shumë mesazhe. Ka pasur edhe mesazhe kërcënimi. Por, megjithatë unë jam e vetëdijshme për votën time. Kërcënime kam marrë në telefon, Facebook, mesazhe tjera”.
“Mesazhe ka të llojllojshme, disa thonë “mos voto”, në mesazhet tjera shkruan, se ‘a do të kthehesh ndonjëherë në Deçan?”, ka thënë Hadërgjonaj.
Megjithatë, Hadërgjonaj thotë se për këto kërcënime ajo nuk ka raportuar në organet e rendit.
Hadërgjonaj thotë se nuk frikohet nga, siç thotë ajo, “hijenat që kanë përcjellë në periudhën e vështirë të historisë se kombit, kurse tashmë mundohen të bëhen patriotë duke dërguar lloji-lloj shantazhesh”.
“Për mua le të bëjnë çka të duan të tjerët, unë kam mendimin, qëndrimin tim, kam forcën dhe guximin të marr vendime të duhura në momentin e duhur për interesin e vendit tim. Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë ndonjë veprim që cenon interesin e vendit tim dhe nuk do ta bëjë as në të ardhmen”, thotë Hadërgjonaj.
Emri i deputetes Safete Hadergjonaj, është lakuar edhe në një faqe të rrjetit social Facebook, më emrin “Thuaj Jo Demarkacionit më Malin e Zi” , ku nuk dihet adresë e kujt është, por thuhet se Vota për, është votë e tradhtisë.