Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci i ka bërë thirrje LDK-së që të hap rrugë për formimin e institucioneve të reja.
Përmes një postimi në Facebook Nagavci ka thënë se LDK, pasi që veten e konsideron si parti institucionaliste, duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Shpresoj se përfaqësuesit e LDK-së, një parti që e konsideron veten si institucionaliste, do t’i hapin udhë krijimit të institucioneve. Do të marrë përsipër përgjegjësitë që na dhanë qytetarët për të formuar qeverinë, në zgjedhjet parlamentare dhe në harmoni e respektim të Kushtetutës”, ka shkruajtur ajo.
Ajo ka thënë se shpreson që marrëveshja të arrihet para seancës konstituive të Kuvendit.
“Qeveria LV!-LDK do të ketë shumë punë para vetes, na është dhënë besimi e qytetarët presin të filloj sa më parë jetësimi i programit për të cilin jemi pajtuar tashmë bashkë. Shpresoj shumë që të arrihet marrëveshja para konstituimit të Kuvendit. Pres që përfaqësuesit e LDK-së dhe deputetët që kanë marrë përgjegjësi nga qytetarët, të jenë aktivistë të vërtet politik, të tillë që pozitën e deputetit e shofin si përgjegjësi, si mundësi për të punuar për të mirën e përgjithshme dhe se me votim të qeverisë do të fillojnë punën në realizimin e përgjegjësive për besimin që kanë marrë”, ka shkruajtur tutje ajo.
Sipas saj, është jetike që të ndalet abuzimi me pushtetin që është bërë vitet e fundit, dhe se aktualisht s’ka prioritet më të madh se formimi i Qeverisë.
“Në këto momente të rëndësishme për vendin, s’ka prioritet më të madh se themelimi i Qeverisë, se ndryshimi i mënyrës së qeverisjes të cilën e kemi parë që dy dekada tashmë, se jetësimi i vullnetit të qytetarëve, se ndalja me abuzimin që po vazhdon të bëjë me buxhet e vendime të dëmshme, qeveria e dorëhequr. Na nevoitet një qeveri e ndryshimit që bazohet në mirëbesim e bashkëpunim konstruktiv”, ka shkruajtur në fund Nagavci.
Gjatë ditës së sotme është raportuar për një takim mes Kurtit e Mustafës, mirëpo nga këto dy parti kanë bërë të ditur se nuk ka diçka të caktuar në këtë aspekt.