Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në deklaratat e saj për vrasjen e komandant Drinit, ka ngatërruar, Kadri Veselin me Sali Veselin, i cili është dënuar për vrasjen e komandant Drinit.
Millaku gjatë seancës së djeshme është shprehur se Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi kanë dhënë urdhrin për vrasjen e komandant “Drinit”.
Millaku: Prokuroria ka pasur aktakuzë ndaj Veselit për rastin Drini
Ndërsa gjatë seancës së sotme deputetja Kalludra ju drejtua kryetarit të kuvendit Veseli duke i thënë se ka pasur aktakuzë kundër tij në vitin 2003 dhe se ka një vendim të prokurorisë.
Veseli mohoi këto akuza.
Mirëpo në aktakuzën e përmendur nga Millaku bëhet fjalë për të dënuarin Sali Veseli. I cili ishte dënuar në mars të vitit 2003 nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Prizrenit, për vrasjen e Ekrem Rexhës i njohur si komandant Drinit.
Millaku ka vazhduar akuzat e saj ndaj kryekuvendarit Veseli duke thënë se “më nevojitet të them se aty nuk e ke emrin si Kadri Veseli, por si pseudonim Luli”.
Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli, ka reaguar ndaj deklaratave të Millakut duke thënë se nuk është në dijeni që ka pasur një vendim dhe nuk ka pasur asnjë ftesë nga prokuroria lidhur me rastin.
Sali Veseli, ish-anëtar i SHP të UÇK-së dhe gjeneral i TMK-së, është dënuar nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prizren për vrasjen e Ekrem Rexha-komandant Drini me 15 vjet heqje lirie, kurse i akuzuari tjetër Abit Haziraj, ish-pjesëtar i UÇK-së ishte liruar nga akuza për mungesë dëshmish.
Gjeneral Sali Veseli është arrestuar më 8 maj 2001.
Komandant “Drini” kishte themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Prizren, që ishte e para e në vend. (Insajderi.com)