Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka pritur sot në një takim ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jens Erik Gondahl.
Kadrijaj, me ambasadorin Grondahl, biseduan për çështjet aktuale politike, menaxhimin nga ana e institucioneve me pandeminë Covid-19, si dhe për marrëdhëniet mes dy shteteve, e në veçanti për ndihmën e vazhdueshme të shtetit norvegjez për Kosovën, në të gjitha proceset.
Fillimisht, ambasadori Gondahl njoftoi Kadrijajn për ndihmën që u kanë dhënë gjatë kësaj periudhe të pandemisë, shtetasve kosovarë që kanë mbetur në shtetin norvegjez, e që kanë kërkuar ndihmë për kthim në Kosovë. Kadrijaj shprehu mirënjohje ndaj ambasadorit Gondahl, për ndihmën e deri tanishme të shtetit norvegjez në të gjitha proceset, duke shprehur marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve.
Kadrijaj dhe Gondahl me theks të veçantë biseduan për menaxhimin nga ana e institucioneve me pandeminë Covid-19.
Kadrijaj përmendi edhe rolin aktiv që kanë ushtruar ambasadoret kosovarë në trajtimin e kërkesave nga ana e shtetasve kosovarë, për kthim në Kosovë. Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe situata politike, si dhe pritja e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, për krijim të institucioneve të reja.
Ambasadori Gondahl premtoi ndihmë të pa rezervë nga ana e tij dhe shtetit norvegjez në të gjitha proceset që e presin Kosovën, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave si dhe ndihmë për lehtësimin e situatës pandemike, duke shprehur gatishmërinë për ndihmë nga ana e shtetit norvegjez në kalimin e kësaj faze me sa më pak dëme ekonomike. Gjithashtu, Gondahl theksoi se Kosova ka kapacitetete të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik dhe se Norvegjia është e interesuar që të investojë sidomos në zhvillimin e turizmit malor dhe atë të energjisë së ripërtrishme. Në fund, të dy palët u pajtuan që takime të tilla të ketë sa më shpesh në të ardhmen.