Gazeta austriake “Der Standard” ka shkruar një artikull për situatën politike në Maqedoni.
Zyrtarët e BE paralajmërojnë me të drejtë se refuzimi i presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov për të njohur rezultatin e zgjedhjeve në shtetin maqedonas është një lojë me zjarrin dhe mund të jetë gjithashtu një fuçi baruti për Ballkanin, shkruan gazeta austriake.
Këtë herë nuk kemi një betejë të përgjakshme në disa fronte mes bullgarëve, serbëve dhe grekëve për të ndarë zonën e zgjidhjes së çështjes maqedonase. Krijimi i Republikës së Maqedonisë në kuadër të federatës jugosllave ishte pika e kthesës që shënoi pikën e lindjes së kombit të vonë maqedonas.
Shteti rezulton se është ndërtuar nga trashëgimia e Jugosllavisë dhe se nuk ka ende një emërtim të saktë. Akoma ndërkombëtarisht mban emrin: “Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë”, për shkak të presionit grek në arenën ndërkombëtare. Shteti i vogël ballkanik, pak më i vogël se Austria e Ulët, me pak më tepër se 2.1 milionë banorë, sot nuk kërcënohet më nga jashtë. Qëndrueshmëria e Maqedonisë varet nga qëndrimi i këtij shteti ndaj raportit që mban me mbi gjysmë milionë shqiptarë që banojnë në IRJM. Shqiptarët në Maqedoni jetojnë si qytetarë të dorës së dytë, vazhdon shkrimi.
Në vitin 2001, betejat e luftës civile ndërmjet ushtrisë maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë shpërthyen, pasi etnia shqiptare kërkonte të drejta. Vetëm në gusht 2001 Marrëveshja Kornizë e Ohrit për paqe mes dy etnive u nënshkrua nën kujdesin e NATO-s dhe të BE-së. Zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Europian, si Johanes Hahn, Komisioneri Europian për Politikë dhe Fqinjësi, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federika Mogherini dhe Donald Tusk deklaruan hapur në Shkup se liderët politikë në Maqedoni duhet të reflektojnë, pasi përndryshe ka gjasa që situata të kthehet në kaos në këtë shtet dhe të ketë “zjarr” në Ballkan, thekson gazeta e njohur.
Më “Der Standard” shkruan se në Maqedoni nuk ka aktualisht as qeveri dhe as parlament, për shkak se presidenti Ivanov refuzon t’i japë mandatin qeverisës partisë opozitare të LSDM-së, edhe pse socialdemokratët maqedonas, së bashku me shqiptarët kanë fituar shumicën e vendeve në parlament, 67 nga 120 vende. Ivanov është një president që ka dalë nga gjiri i partisë së Nikola Gruevskit, pra nga VMRO dhe andaj ka vendosur të bëjë “grusht shteti”, duke mos pranuar që të japë mandatin për LSDM. Ivanovi ka akuzuar se platforma e LSDM dhe e partive politike shqiptare shkel Kushtetutën e Maqedonisë, kurse Zaev ka hedhur poshtë këto akuza.
LSDM deri tani në opozitë ka nxjerrë një sërë skandalesh të qeverisë, përmes përgjimeve të kryera, ku del qartësisht se pushteti ka dorë edhe në gjykata, edhe në institucione të tjera, të cilat duhet të jenë në fakt të pavarura. Partia VMRO është duke kërcënuar me burg opozitarët e dikurshëm, që duan qeveri legjitime sot. Prandaj VMRO është duke luajtur me kartën nacionaliste, duke vjellë vrer antishqiptar. VMRO ka gjetur edhe një pretekst, duke thënë se platforma e opozitës është bërë në Tiranë, me qëllim që të mos lejojë LSDM dhe shqiptarët të marrin pushtetin. Zyrtarët e BE në Shkup kanë thënë se ajo që është duke ndodhur në Maqedoni do të thotë të luash me zjarrin, përfundon shkrimi.