Për herë të parë në Kosovë, një ndeshje e futbollit do të referohet nga gjashtë gjyqtarë, përfshirë këtu dy gjyqtarë prapa portave.
Derbi më i madh i deritanishëm në këtë sezon të Ipko Superligës së Kosovës, mes Prishtinës dhe Llapit, i cili do të zhvillohet të shtunën, do të referohet nga gjyqtari më i suksesshëm në Kosovë deri më tani, Genc Nuza.
Përzgjedhja e tij është bërë me pëlqimin e të dy klubeve. Ndërkohë, siç raporton Gazeta Sheshi, për herë të parë do të shohim edhe gjyqtarë prapa portave.
Genc Nuza është një gjyqtar i FIFA-s.
Prishtina dhe Llapi janë në luftë të rreptë për titullin e kampionit të Kosovës, bashkë me Feronikelin.
Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit, Feronikeli kryeson me vetëm dy pikë më shumë sesa Prishtina e Llapi, që kanë pikë të barabarta.
Derisa këtë javë Prishtina takohet me Llapin, një javë më vonë Llapi e pret Feronikelin. Kurse, në xhiron e fundit, Prishtina do ta vizitojë Feronikelin në Drenas.
Ky orar dhe gjendja aktuale e tabelës e bën kampionatin kosovar ndër më interesantët në Evropë.