Dërgohen pakot e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora, akreditohen mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale

Prishtinë | 24 Sht 2025 | 14:23 | Nga Gzim Mujaj

Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të mërkurën u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për Zgjedhjet Lokale, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se ky raport ka gjitha të dhënat në lidhje me numrin e zarfeve që janë dërguar.

“Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar. Është paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme në lidhje me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga KQZ”, tha ai.

Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.

Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. 

Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

Të ngjashme