Bashkimi Evropian, ende nuk ka një datë të vazhdimit të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kërkon vendosmëri për të vazhduar progresin në këtë dialog.
Kështu të paktën thotë për arbresh.info zëdhënsja e BE-së, Maja Kocijançiq, duke shtuar se aktualisht nuk kanë paraprë diçka konkrete.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe ai i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i kanë kërkuar presidentit të sapo zgjedhur të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të promovojë bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon.
“Ne jemi të sigurt që ju do të vazhdoni të promovoni bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon, thelbësore për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin. Vendosmëria juaj do të jetë çelësi për të vazhduar progresin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës,” thuhet në letrën e tyre drejtuar presidentit Vuçiq.
Pavarësisht se Brukseli nuk ka një datë se kur mund të vazhdojë dialogu në Bruksel, së fundi, lidershipi kosovarë ka pezulluar pjesëmarrjen në këto takime.
Kjo, pasi Kuvendi i Kosovës, pak javë më parë, miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.