Me moton “Marshojmë kundër patriarkatit që vret” këtë vit në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në marshin protestues të organizuar nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, i përbërë nga aktivistë të organizatave të shoqërisë civile e studentë, morën pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti.
Siç duket, për ta, ka reaguar ish-deputetja e LVV-së dhe bashkëpunëtorja e Kurtit, Aida Dërguti.
“Patriarkët kundër patriarkatit”, ka shkruar shkurt Dërguti duke qeshur.
Ky marsh u organizua me qëllim që të kthehet vëmendja e institucioneve që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me prioritet.
Gjatë kohës së marshimit, nëpër institucione u shpalosën çarçafë me mbishkrime që përmbanin thirrje konkrete kundër dhunës dhe targetonin dhunën dhe vrasjet që kanë ndodhur ndaj grave gjatë vitit 2020.