Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka paralajmëruar dënime deri në 5 mijë euro, për të gjithë personat që zhvillojnë gara me qen.
Përmes një urdhërese të publikuar në Facebook, Latifi ka thënë se do të parandalojë dhe ndëshkojë gjithë ato raste të keqtrajtimit, vrasjes dhe garave të kundërligjshme të kafshëve.
“Jam i shqetësuar me zhvillimet e fundit rreth rasteve të keqtrajtimeve të ndryshme të kafshëve në komunën tonë! Bazuar në këtë kam nxjerrë urdhëresën më poshtë që është parandaluese dhe ndëshkuese lidhur me rastet e keqtrajtimit, vrasjes dhe garave të kundërligjshme të kafshëve”, ka shkruar Latifi.
I gjithë ky reagim i kreut të Rahovecit, është bërë pas raportimeve se në këtë komunë, vazhdimisht po organizohen gara me qen.