Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar 88 mijë e 622 votues apo 7.22% nga 1 milion e 260 mijë e 571 votues, raporton Ekonomia Online.
Ai më tej ka shtuar se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht.
Tutje, Radoniqi sqaroi se nga raportime që janë bërë del se ka pasur vetëm probleme teknike që janë zgjidhur menjëherë.
“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet të cilat i pranojmë vazhdimisht nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, por edhe nga ekipet tona monitoruese, procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht”.
“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, KQZ është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit”.
“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga më shumë se 97% vendvotime, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 88 mijë e 622 votues apo 7.22% nga 1 milion e 260 mijë e 571 votues”.
“Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në ueb faqen: zgjedhjet2021.org”.