Ndërtimi i spitalit kirurgjik-pediatrik në Prishtinë nuk pritet të përfundojë deri në vitin 2020, andaj deri atëherë të gjithë fëmijët që kanë probleme në zemër do të referohen për shërim jashtë vendit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2015 kishin ndarë 22 milionë euro për ndërtimin e klinikës kirurgjike-pediatrike në Prishtinë, por që nga atëherë ka pasur ngecje në këtë drejtim. Si pasojë e kësaj të gjithë fëmijët me probleme në zemër po vazhdojnë të referohen për shërim jashtë vendit.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Xhevdet Gojnovci, ka treguar se të gjitha rastet e fëmijëve që kanë probleme në zemër referohen jashtë vendit.
Sipas tij, ata nuk mund të intervenojnë as në rastet që janë shumë urgjente, andaj ashtu edhe i referojnë për shërim jashtë Kosovës. “Të gjithë ata që kanë nevojë për intervenime kirurgjike trajtohen jashtë Kosovës dhe asnjë rast nuk trajtohet në Klinikën e Neonatologjisë. Ne kemi edhe raste urgjente që duhet të trajtohen me urgjencë jashtë Kosovës, në vendet ku janë qendrat e avancuara kirurgjike”, ka thënë ai.