Dëshmitari Fritsch thotë se në javët e para të KFOR-it në Kosovë nuk kishte një gjyqësor funksional

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 14:43 | Nga Ekonomia Online


Zyrtari i KFOR-it Johan Fritsch gjatë dëshmisë së tij pohoi se në javët e para të KFOR-it në Kosovë nuk kishin një gjyqësorë funksional që të trajtonin rastet kur personat mbaheshin të ndaluar

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i Veselit, Geoffrey Roberts, dëshmitari pohoi se ai që vendoste se kush të mbahej i ndaluar nga KFOR-i ishte komandanti i brigadës i cili mund të zgjaste masën e ndalimit në rast se e shihte të arsyeshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mendoj që në atë kohë nuk ka pasur gjykatës civil të pranishëm që mund të vepronin bazuar në ligjet civile”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se sa i kujtohet kjo ka ndodhur me të gjitha pjesët në KFOR pasi nuk kishin autoritete gjyqësore funksionale.

“Më sa më kujtohet kështu ka ndodhur më gjithë KFOR-in sepse nuk kishte autoritete gjyqësorë që ishin funksionale apo që mund të vepronin”, tha ai.

Gjithashtu, ai shtoi se i kujtohet që përpara se të kthehej në Gjermani, në kampin e tyre kishte shkuar një gjykatës i cili merrej me këto çështje.

“Me kujtohet se përpara se të kthehesha në shtëpi në fillim të gushtit, ishte një gjykatës gjerman që jetonte në kampin tonë dhe pastaj ai ka trajtuar çështje të tilla dhe kjo duhet të ketë qenë në qershor mas fundi në qershor deri në momentin kur gjykatësi ka marrë shërbimin e tij në emër të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Pas kësaj, ndërhyri sërish Robert ku duke iu drejtuar dëshmitarit se ajo që po thotë ai është se deri në fillim të gushtit nuk ishte parë prania e një gjyqtari i cili pastaj ishte aty për të vlerësuar ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim të personave të ndaluar nga KFOR-i.

“Po, besoj që po në atë moment. Filloi krijimi i Policisë së Kosovës me gjyqësorin dhe ky gjykatës ishte duke vepruar në një moment e kohë në muajin korrik”, tha dëshmitari.

Ndërsa, sa i takon pyetjes se a ka pasur mundësi që një person të kundërshtojë ndalimin e tij dhe të jetë i përfaqësuar juridikisht, dëshmitari insistoi duke thënë se nuk ka pas gjykatës as prokurorë për të ndodhur një gjë e tillë.

Me pas, seanca kaloi në sesion privat për publikun me kërkesën e Roberts pasi ai tha se do të prezantoj një dokument.

Përpara pyetjeve të Roberts, fjalën e mori avokatja tjetër e Veselit, Annie O’Reilly e cila u fokusua tek një fotografi në të cilën sipas saj shihej letërnjoftimi i personit të vdekur në ish-godinën e MUP-it në Prizren si dhe disa medikamente të tij.

Dëshmitari pohoi se letërnjoftimi ishte sekuestruar nga KFOR-i, por që nuk i kujtohet nëse fotografia ishte bërë nga vetë ai. Ndërsa, kur filloi që të flitet për kutinë me hapa të personit të vdekur seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për t’u rikthyer më pas, pas pushimit me pyetjet e avokatit Roberts.

Fritsch për personin e vdekur në ndërtesën e MUP-it: Kishte të nxira në trup, mjeku konstatoi se kishte arrest kardiak

Dëshmitari tha se në kohën kur mjeku e bëri ekzaminimin e personit që u gjet i vdekur në ndërtesën e MUP-it, kishte qenë vetë i pranishëm dhe kishte parë të nxira dhe lëndime në trupin e viktimës.

Mirëpo, ai tha se e ka dëgjuar mjekun teksa thotë se vdekja e tij nuk ka ardhur nga lëndimet, por kishte të ngjarë se ka pësuar arrest kardiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto deklarime, Fritsch i bëri gjatë kohës kur mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Nina Tavakoli për çështjen e personit të vdekur i cili ishte gjetur nga KFOR-i gjatë operacionit në godinën e MUP-it në Prizren.

“E kam parë raportin. Kam qenë i pranishëm kur mjeku kreu ekzaminimin. Personi i vdekur ishte i lidhur në karrige me pranga. Një dorë e kishte të prangosur dhe policia ushtarake më tha të dokumentoja situatën. Të ndjerit ia hoqën prangat dhe e ekzaminoi mjeku… ekzaminoi në të gjitha anët e trupit, para dhe pas dhe mjeku pa të nxira dhe lëndime në trup dhe më kujtohet që ka thënë që rrahja apo këto lëndime nuk kanë qenë shkaku i vdekjes, por ka të ngjarë që të ketë patur një arrest kardiak që ka shkaktuar vdekjen dhe me shumë të ngjarë kjo ishte shkaku i vdekjes së këtij personi”, tha Fritsch.

Përpara kësaj, Tavakoli i lexoi dëshmitarit fragmente nga raporti i ekzaminimit të mjekut, në të cilin thuhej se viktima nuk kishte lëndime vdekjeprurëse.

“Kjo është autopsia nga mjeku; është autopsia që ka bërë një mjek dhe mund të shihni rezultatet këtu dhe thotë; të nxjerrat që janë konstatuar këtu, sipas mendimit tim nuk përfaqësojnë një lëndim vdekjeprurës. Hapat që janë gjetur tregon se personi ka pasur probleme kardiovaskulare. Në këtë rast shpjegohet vdekja nga sulmi në zemër”, tha Tavakoli.

Megjithatë, dëshmitari tha se personat të cilët ishin të ndaluar në atë godinë duke përfshirë edhe të vdekurin sipas asaj që ua kishin thënë anëtarët e UÇK-së ishin serbë ose bashkëpunëtorë.

“Sipas asaj që na thanë anëtarët e UÇK-së, përballë burgut, të gjithë personat që u liruaran duke përfshirë edhe të vdekurin ose ishin serbë ose bashkëpunëtoër”, tha ai.

Duke folur për ditarin e tij, dëshmitari pohoi se refugjatët kosovarë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre i gjenin ato të shkatërruara, të djegura e të vjedhura.


“Personat që ktheheshin i gjenin shtëpitë të shkatërruara e të vjedhura, disa prej tyre nuk iu kishte mbetur asgjë tjetër përveç rrobave të trupit, shtëpitë e tyre ishin të djegura, të shkatërruara dhe nuk kishin mbetur asgjë tjetër. Disa prej tyre shkuan në shtëpitë boshe të serbëve për të kompensuar atë që iu kishin humbur”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se këto shtëpi të shkatërruara ishin ‘viktima’ të dhunës dhe pranisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

Gjithashtu, ai shtoi se pasi janë dislokuar në Kosovë, KFOR-i ka gjetur varreza masive e po ashtu edhe persona që ishin të vrarë e të pavarrorusr.

“Forcat e KFOR-it, pra ne kemi zbuluar varreza masive por njëkohësisht kemi zbulu vende ku personat e vrarë ishin akoma të shtrirë në tokë, mbi sipërfaqe, të pavarrosur dhe popullsia civile na dha informacion për vende të tilla ku kishin ndodhur këto gjëra”, tha ai, duke shtuar se refugjatët kosovarë, pasi ktheheshin në shtëpi përballeshin me shkatërrime e me varreza masive.

Ndërsa, për informatat në ditarin e tij, dëshmitari tha se e ka shkruar atë që ka parë e po ashtu në rast që nuk i ka parë vetë, nëpërmjet një shënimi ka treguar se nga e ka marrë informacionin.

Zyrtari i KFOR-it pyetet për uniformat që mbante UÇK-ja, tha se mendon që të zezat i mbante policia ushtarake

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyete nga prokurorja Vega Iodice, e cila u fokusua në uniformat anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës sa KFOR-i ishte me mision në Prizren nga 13-14 qershorit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një video në të cilën thuhej se dukej një person me uniforma të zeza për të cilat ai tha se relativisht shpesh ka parë veshje të tilla.

“Po realitivisht shpesh në ato ditë janë parë uniforma të tilla”, tha ai.

Fritsch tha se nuk është i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendon se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së.

Mirëpo, dëshmitari tha se kishte përzierje të uniformave dhe nuk ishin të gjithë anëtarët e njëjtë që përdornin uniforma të njëjta.

“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme. Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, tha Fritsch.

Ai gjithashtu tha se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, në ditët e para kanë parë patrullime të UÇK-së në rrugë.

“Po, gjatë ditëve të para, pasi ne u futëm në vend, domethënë pas datës 13 dhe 14 qershor relativisht për një periudhë të shkurtë i kemi parë këto gjëra”, tha Fritsch.

Oficeri i KFOR-it tha se patrullimi i UÇK-së në rrugët e Prizrenit ishte për shkak se këta të fundit donin të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.

“Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej sipas marrëveshjes nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin ne Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum…”, tha Fritsch, duke shtuar se në ditët e para kishte prani të madhe të UÇK-së në qytet ndërsa më vonë kishte vetëm pak individë.

Me kaq përfundoi pyetjet Prokuroria, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme