Dëshmitari i katërt në rastin e Salih Mustafës ka folur sot rreth ndalimit në Zllash.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, ai tha se e ka marrë vesh që ishte në Zllash nga njerëzit që ishin aty.
Ai tha se nuk ka parë asgjë, derisa shtoi se ka parë që personat që e morën kishin të veshur uniformë të UÇK-së.
“Nuk e di s’kam pa sen. Me siguri brezit i kanë pas, si kam parë. Si zakonisht të gjithë që i kanë pasur rrobat e UÇK-së, shenjat e flamurit, s’ka pas diçka tjetër”, deklaroi më tutje ai.
“Ishte një shtëpi, dykatëshe. Duhej të sillej nga oborri me ra poshtë dhe poshtë asaj shtëpie ishte një derë e vjetër, u hap dera dhe unë hyra brenda, ahuri nuk ishte shumë i vogël, por as nuk ishte shumë i madh. Aty qëndronin kafshët. Kishte një dritare të vogël. Aty kanë qenë edhe katër njerëz të tjerë. I kam gjet aty. Dy herë në ditë na kanë sjell bukë e ujë sa kemi dashtë. Ushqimi ka qenë i mjaftueshëm duke pasur parasysh kohën e luftës. Atë ushqim që e kanë ngrënë vet na e kanë pru edhe neve aty”, tha ai.
Teksa u pyet për trajtimin që u është bërë aty, dëshmitari tha se kanë qenë çnjerëzore.
“Kanë qenë çnjerëzore, por individi kur hynë aty brenda nuk e ka më ndjenjën e njeriut, por barazohet me kafshën. Nuk di si mundem me përshkru kur papritmazi, kur se pret, gjendesh në një ahur që se ke parë as në ëndërr asnjëherë në jetë”, shtoi ai.