Në gjykimin që po zhvillohet ndaj gjykatësit të suspenduar të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismaili dhe zyrtarit policor Blerim Gashi, dëshmitari Florim Zekaj, ka deklaruar se një gjyqtar, të cilit nuk ia ka përmendur emrin, për t’i ndihmuar me lëndë i kishte kërkuar tesha “kat” 3-4 mijë euroshe, pushime në Shqipëri dhe një femër qe t’i ofronte komoditet.
Këtë deklaratë, ai e ka dhënë në seancën e së hënës, ku ka vazhduar deklarimin e tij para trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Dren Paca, ka thënë se nga momenti që kishte shkuar policia ta arrestonte në shtëpinë e tij, ka qenë në kontakt me gjyqtarin, tani të akuzuarin Rafet Ismaili.
“E kam thirr në telefon dhe kam lyp ndihmë prej tij. Edhe gjatë gjithë qasaj kohe që kam nejt në polici, kam qenë në arrest prej orës 7 ose 8 të mëngjesit nuk di saktë, deri në ora 12:00 të ditës, vazhdimisht sa jam kon në stacion policor dhe gjatë rrugës kam kontaktu me Rafetin. Sipas tij, u kon rrugës tu shku te avokati im Rruzhdi Maloku, në Vushtrri, ku edhe avokati ma ka konfirmu se është duke e prit gjyqtarin Rafetin, për me bo një kërkesë. Ka thon që s’ka mjete, shofer, po për shkak temin u duft me taksi me shku në Mitrovicë, të Kabashiqi. Deri në orën 12, së paku 4-5 herë, ndoshta edhe më shumë, me siguri i keni përgjimet që kam biseduar me Rafetin gjatë asaj kohe”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, dëshmitari Zekaj tha se kur kanë shkuar për ta arrestuar sa i kujtohet ka qenë ora 8:00 e mëngjesit dhe gjatë kohës kur policët i kanë dhënë kohë të përgatitej pasi ishte me pizhama, atëherë ka filluar kontaktet me Rafet Ismailin.
Prokurori Paca e ka pyetur se i kanë sqaruar se si kanë arritur ta lëshojnë, në çfarë forme apo mënyre.
“Sipas Rafetit, ka thënë që e ka bërë kërkesën avokati jem se lënda jem është në mbrojtje të ligjshmërisë dhe se është diçka me ligj dhe që e njeh kryetarin e gjykatës, që u kon punëtor i tij, Rafeti është i qasaj dege. Dhe me intervenimin e ti mu ka ndërpre burgimi”, ka thënë Zekaj.
Kurse, për të akuzuarin tjetër Blerim Gashi, ai deklaroi se i ka ndihmuar në polici që mos ta dërgojnë menjëherë me urdhëresë për vuajtje të dënimit dhe i ka mundësuar që të zgjatet kjo procedurë.
“Edhe mendimi i Blerimit u kon që Rafeti më ka ndihmuar” , ka thënë ai.
Tutje, ai deklaroi se ka pasur kontakt edhe me Blerim Gashin.
“Po. Deri sa kam qenë në polici, unë e kam pas telefonin tim, të cilin përveç se e kam shfrytëzu vet, të njëjtin ja kam dhënë edhe një polici nga Istogu që emrin nuk ja di dhe me telefon timin ka biseduar edhe me Rafetin edhe Blerimin. Unë si kam ni, veç policin përball, kanë insistu mos mem qu Dubrave se është parregullsi, ka met një urdhëresë e vjetër në gjykatë, mbrojtja e ligjshmërisë nuk ka marr vendim dhe ka me ardh qaj vendimi Mitrovicë. Me zhagit mos me qu gjykatë, se osht rrugës tu shku te Kabashiqi me lshu qat urdhëresë”, ka thënë dëshmitari Zekaj.
Më pas prokurori Paca ka lexuar një pjesë të transkripti të datës 13 shtator 2019, ku është zhvilluar biseda në mes të dëshmitarit dhe Rafet Ismaili, në orën 14:19:11.
“Florim në bisedën e zhvilluar mes jush dhe Rafetit, ndër të tjera, ju Rafetit i thuani “ u ba, dëgjo, unë 1 mijë e 500 si t’i kam dhan, t’i dha qysh të kam thënë edhe 5 mijë a 10 mijë”, ka thënë prokurori.
Tutje, dëshmitari vazhdoi të deklarohej rreth shumave që i janë kërkuar për t’i ndihmuar.
“Cili ka dasht e ka shpreh vullnetin mem nimu me një shumë më të vogël e jo si shuma që është kërku 140 mijë, 180 mijë, 200 mijë. Sipas gjyqtarit, ato mjete është dasht me ja dhon dikujt tjetër, jo Rafetit, me gjet dikon tjetër, që me ma pak pare me kry punë. Dhe kam treguar që kam mundësi deri 20 mijë me i dhanë për mos me shku në burg. Edhe pse ton kohën, më ka thënë edhe vet Rafeti ,edhe disa tjerë gjyqtar që krejt ko vepër mu ka bo mu për shkak se kam dhënë pare prej fillimi, është vepër që nuk ish dasht mem dënu. Pak ju kam dhënë, jam kon dorëshlir, ju kam dhënë pare, mu ka zhagit puna prej 2007 e deri tash, që jam në vuajtje të dënimit”, ka thënë ai.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë se sa herë i ka dhënë para Blerim Gashit.
“Njo dy tre herë i kam dhënë si hua dhe i kam qit prej llogarisë teme te e tij. Nuk më kujtohet saktë, 500, 300. Por, nëse o fjala për këtë 800 apo 9000 apo 1000 e fundit, ato janë kon të policisë së krimeve ekonomike me ja dhënë për mem ndihmu rreth landës teme. Veç u kon në rrjedha edhe Blerimi, për me gjet ni lidhje për mu kry landa jeme. Mem ndihmu në Gjykatë Supreme a Apel, me qat avokatin, ja harrova emrin, Sylejman Klinakut. Blerimi u kon lidhja që më ka kontaktu me to dhe qata tjerët që jemi kon në takime, qysh mem ndihmu me ma hek dënimin”, ka thënë ai.
E pasi ia ka dhënë këto 1 mijë euro që i janë dhënë nga policia, deklaroi se ka dhënë deklaratë në polici atë ditë apo të nesërmen.
Kurse, sa i përket ditës që i ka dhënë Rafet Ismailit 1 mijë e 500 euro, ai tha se pasi ia ka dhënë paratë, ka shkuar në polici dhe ka dhënë deklaratën, ku i janë larguar edhe pajisjet e përgjimit.
Më pas, pyetje për dëshmitarin ka parashtruar edhe avokati Tahir Rrecaj, që mbron të akuzuarin Ismaili.
“Kur ke bisedu me Rafetin në telefon dhe i ke thënë t’i kam dhënë 1 mijë e 500 euro, t’i jap edhe 5 mijë edhe 10 mijë. A t’i ka kërkuar Rafeti 5 mijë dhe 10 mijë euro me të ndihmu, apo ti ja ke ofru me vullnetin ton”, ka pyetur Rrecaj.
“Rafeti mu mu ka ofru mem ndihmu për shkak të Abitit dhe rrethanave që i kam shpjegu edhe Rafeti në mënyrë direkte, ami mu qikaq se ta kryej unë punën, asnjëherë nuk më ka thënë. Po, ka thënë e gjejmë dikon që mundet met ndihmu me shumë më të vogël, sa e ki ti mundësinë me ofru. Unë e kam shpreh që muj 5 mijë a 10 mijë, a 20 mijë. Nuk u kon veç ajo telefonatë, kemi pas edhe biseda tjera, po du me theksu që gjithmonë për pare u kon në pyetje, vetëm se shuma ma e vogël. Për me i dhënë unë pare Rafetit ose Rafeti mem tregu mu kujt me ja dhënë”, tha dëshmitari.
Më pas, avokati Rrecaj, e ka pyetur se a i ka thënë shprehimisht i akuzuari Ismaili t’i jap para.
“Jo, kemi pas biseda të shpeshta, më ka thënë se kryhet, por në shuma më të vogla. Ka pas raste kur ka thënë kqyri, në mujshim sa ma pak se është e mundshme ose nashta edhe pa pare, gjejmë naj lidhje në mujshim”, ka thënë dëshmitari Zekaj.
Zekaj duke u përgjigjur në pyetje të avokatit Rrecaj ka konfirmuar se ka deklaruar se të akuzuarit i kanë premtuar se do t’i ndihmojnë, por jo në këmbim të mjeteve.
Gjithashtu konfirmoi se ka thënë edhe se ”Blerimi përveç ata që më ka njoftu vet e di që nuk i ka njoft, Rafeti përmes kryetarit të gjykatës të Mitrovicës dhe gjyqtarëve tjerë, jo me pare, disa herë më ka thënë mos i jep ato pare se ato pare të kanë zhagit deri tash”.
Ai konfirmoi se ka thënë se gjyqtarit i ka ofruar shuma të ndryshme dhe nuk i ka marrë, ndërsa një ditë i ka kërkuar vet 1 mijë e 500 euro për të shlyer një kredi.
“Mi ka refuzu derisa te gjen dikon tjetër. Normal që për parë, unë prej Istogu, s’kemi pas kurrfarë lidhje përveç që na ka lidh qikjo puna jeme e gjyqësisë. Noshta është turp që po foli, kur është prezantuar si gjyqtar se kam besu, derisa ma kallxoi ID, kam mëndu që është ndonjë mashtrues. Më ka tregu ID që është gjyqtar penalist. Më ka lyp edhe vet pare. Nuk ka ndodh që më ka lyp njëherë, ka lyp 2 -3 herë, herë si huazim, herë me pangu vet një kredi. Ka pas raste të shumta që mi ka lyp, normal që mem ndihmu me kthy landën në rishqyrtim”.
Avokati Rrecaj, ka pyetur dëshmitarin se a mundet të bëj dallimin mes dhënies së 1 mijë e 500 euro për të kryer punë dhe për hua.
“Unë jam i bindur që edhe trupi gjykues, edhe avokati, e din mirë përgjigjen. A i kish dhënë ky pare hua dikujt që se njeh për me ja kthy”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se paratë ia ka dhënë për të arritur te gjyqtarët.
“Ja kam dhënë përmes tij për me arrit te gjyqtarët, por ky si borxh i ka marrë. Për me arrit te Xhevdeti, e tjerët”, ka thënë ai.
Avokati Rrecaj tha se dëshmitari ka deklaruar në seancën e kaluar se paratë i janë kërkuar për kredi, për t’iu kthyer deri në vit të ri apo për të marrë një kredi tjetër që të mundet t’ia kthej paratë.
“Unë qëllimin e gjyqtarit se di, mundet me thënë aj vet. Sipas mendimit tem, pse mi kish lyp aj mu paret nëse nuk mundet mem ndihmu edhe ka tentu, kemi shku te disa gjyqtarë, edhe te shpia kemi shku. Bashkë me Rafetin dhe Skenderin, ju kemi shku edhe te shtëpia disa gjyqtarëve. Edhe shpijat jau di, njoni u kon tu kosit bari para shpisë së vet, u kon e dille. Edhe dytë janë kon të Apelit, e di që janë kon në Prishtinë tu punu”, ka thënë ai.
Ai ka pyetur se si i ka kërkuar Ismaili para për t’i ndihmuar kur ka thënë se do ja kthej.
“Ato janë kon veç fjalë, se asnjë gjyqtar s’mi ka kthy”, ka thënë ai.
Për dëshmitarin, më pas, ka parashtruar pyetje edhe i akuzuari Ismaili. Ai e ka pyetur se a i ka thënë njëherë dëshmitari merri 5 mijë euro, kryje kredinë, e se i akuzuari nuk i ka pranuar.
“Unë të kam thënë nuk t’i marr, se kurrfarë borxhi s’mi ki. Ti ke insistu disa herë, merri 1 mijë e 500 euro për kredi. A është e vërteta”, ka pyetur Ismaili.
“Jo, ky mi ka lyp 1 mijë e 500 euro. U mundu mem ndihmu, sa ka pas kapacitet se di”, ka thënë dëshmitari Zekaj.
Ai më pas është pyetur se a ia ka ofruar vet dëshmitari 5 mijë euro të akuzuarit Ismaili.
“Nuk më kujtohet se kemi pas takime shumë të shpeshta me gjyqtarin. Nuk më kujtohet sa kam pas pare me veti 5 mijë a 10 mijë. Veç që i kam ofru pare, ky më ka thënë deri në çfarë shumë mundesh. Ky më ka thënë a je tranu me ofru ton atë shumë, unë kisha nejt 4 vjet, nuk i kisha jep 200 mijë. Sa e kam vërejt s’ka pas kapacitet, qaq mundësi, po ka tentu mem ndihmu me shumë më të vogël 1 mijë, 3 mijë a 5 mijë”, ka thënë dëshmitari.
Ndërkaq, i akuzuari Ismaili, sërish e ka pyetur se a ia ka ofruar 5 mijë euro në veturë.
“Herën e parë i ka lyp 1 mijë e 500 euro, ja kam dhënë në makinë teme. Herën e dytë, kemi pas shuma tjera 5 mijë, 10 mijë. Kam harru 5 mijë a 8 mijë, i kam pas me veti, dhe e kam pas shumën të ndërruesi i shpejtësive të kerrit, janë kon paret e policisë, kemi qenë bashkë me Rafetin dhe i kam thënë merri sa i din ti që të vyn, se janë të ndame për ty, sa duhen me ma kry punën. Kemi hëngër darkë atë natë, diku në Prishtinë, në Bregun e Diellit. Nuk i ka marrë ato pare, më ka thënë nuk muj me i marr, te gjej njëherë personin se nihere t’i kam marrë 1 mijë e 500 euro, dhe më ke ndihmu, ta ndi për nder. Do të mundohem ta gjej dikë në Apel, që kur të kthehet prej ligjshmërisë në Apel, mem ndihmu me vjetërsu, me pshtu prej qatij dënimi në mënyrë ligjore”, ka thënë dëshmitari.
Ndërkaq, ka thënë se nuk i kujtohet se a ia kishte ofruar edhe 700 euro në “Traktoria”.
Tutje, dëshmitari vijoi duke treguar se si ishte takuar me disa gjyqtarë tjerë, të cilëve, nuk ua ka përmendur emrin.
“Me Rafetin jemi shku deri në Vushtrri, e kemi takuar Skenderin që s’po më kujtohet mbiemri, edhe bashkë me Rafetin dhe atë dëshmitarin kemi shku në Mitrovicë. Skenderi u shku me kerr të vetin, ai u ardh në Mitrovicë, edhe Rafeti u ardh në Mitrovicë. Unë kam nejt me një restoran që na ka thënë Skenderi. Kur u ardh Skenderi, ky i ka thënë shko merrni ata gjyqtarët dhe bini në restoran. Ka ti me Skenderin, rrini në tavolinë Skenderin, merrni gjyqtarin. Unë jam në tavolinë tjetër, ka thënë Rafeti nëse gjyqtari më thërret mu, unë vi dhe ja tregoj rastin ton. Asnjë gjyqtar nuk është ardh në restoran. Rafeti ka nejt me një restoran në Mitrovicë. Unë me Skenderin i kemi shku në Mitrovicë, rrugën e Beogradit, ku aj gjyqtari ish kon tu kosit bari. Ju ka afru Skenderi, ka bisedu me to, unë jo dhe më tha është e dillë pushim, koka tu e kry barin. Sot nuk po munet me ardh, vjen naj ditë tjetër, ka me na ndihmu, jo për mjete po me ja ble do tesha 3 -4 mijë euro edhe me qu në deti në Shqipni. Afër asaj, mi ofru komoditet me një femër, jo me gruan, po dikë tjetër”,ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, ishin takuar edhe më një gjykatës tjetër që do të shikonte a mundet t’i ndihmojë apo jo.
“Tjetri gjyqtar që është afër me shpia, prap jam shku me Skenderin, edhe aj u kon diçka punë bujqësie, ka dal prej arrës a kollomoqit, edhe ka bisedu me mu edhe Skenderin rreth lëndës teme edhe më ka thënë se koka lëndë shumë e komplikuar edhe që Skenderi ja jep një kopje të lëndës tem dhe ai e shqyrton se ka qenë ditë e dille, pushim, e kqyr naj ditë tjetër. Edhe që na bën një termin tjetër me dal me bisedu a mundet mem ndihmu a jo. Edhe sipas tij, u kon në Apel, jo në Supreme, derisa unë lëndën e kisha në Supreme. As ai so ardh”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, i akuzuari Ismaili, nuk ka shkuar me të dhe Skenderin te shtëpia e gjyqtarë, por ka qenë propozimi i tij që të takoheshin me gjyqtarët.
Sipas dëshmitarit, edhe para se të merrej vendimi, Rafet Ismaili i ka thënë se do të bisedoj me një gjyqtar Burim Ademi, nëse nuk gabon në emër, e me trup gjykues dhe qysh atëherë i ka thënë se ka shkelje ,se vepra është bërë në Serbi dhe as nuk do të dënohet dhe do shpallem i pafajshëm.
Dëshmitari Zekaj, ka mohuar se është takuar me kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabasic.
“Jo, përveç në Mitrovicë, një prokurore e nacionalitetit serb. Jam takuar dy – tre herë me prokuroren, për mem ndihmu për çështjen e lëndës. E ka shpreh vullnetin mem ndihmu, personalisht prej saj nuk kam ni diçka, sipas Rafetit, një bashksish mi ble diçka. U kon tu shku në deti, i ka kërku falje këtij, se në këmbë jemi kon tu bisedu dhe kur kthehet nga pushimi do të interesohet”, ka thënë ai.
Dëshmitari sërish ka thënë se në mënyrë direkte nuk i ka kërkuar 1 mijë e 500 euro Ismaili.
“Unë 100% kam qenë i bindur se e ka në mënyrë njerëzore dhe shumë simbolike, një shumë sa më të vogël”, ka thënë dëshmitari.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e Ramë Gashit, avokatit të Blerim Gashit, dëshmitari konfirmoi se ka bërë marrëveshje me Blerim Gashit që t’ia rregullonte pensionin e prindit në Gjermani.
Gjithashtu, konfirmoi se ka thënë se të akuzuarit Gashi i ka dhënë disa herë para si hua deri sa të dal pensioni.
Ai tha se pozicionin zyrtar të Gashit në polici, e di në bazë të asaj që ky i fundit ia ka shpjeguar, ndërkaq tha se sa i kujtohet me gjykatës nuk e ka njoftuar Gashi.
Ndërkaq, në rimarrje në pyetje të dëshmitarit nga prokurori Paca, ai tha se në një takim ka qenë njëherë gjykatësi Xhevdet Abazi dhe dikush tjetër.
“Në takim niher u kon niher su kon u kon qiky Xhevdet Abazi dhe dikush tjetër. Kam pas shumë takime, nuk e di, por jemi takuar në restoran Halimi edhe me gjyqtarë tjerë, me Rafetin. Ky munet me dit a janë kon gjyqtar. Edhe Blerimin e kemi thirr me ardh, nuk e di a u ul me neve, a një tavolinë afër”, ka thënë ai.
Në fund të dëshmisë së tij, ai tha se është i zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë.
“Edhe gjyqtarja pa e pas dikon të njohshëm e pa dhënë pare s’ish ardh në këtë gjykatë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj, të cilës iu drejtua pasi ka cilësinë e kryetares së trupit gjykues, ai tha se nëse ka ndonjë informatë se ka dhënë para a diçka le të shkojë në prokurori.
“Çfarëdo informacioni që e ki edhe e din, osht vepër penale me mshef”, ka thënë ajo.
Kurse, dëshmitari tha se e mori shembull, e më pas i kërkoi falje të njëjtës.Ndërkaq, i akuzuari Rafet Ismaili, në shumë raste gjatë deklarimit të dëshmitarit ka komentuar se nuk janë të vërteta.Në sesionin e pasdites, pritet të dëgjohen edhe dy dëshmitarë në këtë gjykim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismaili dhe zyrtarit policor Blerim Gashi.
Sipas aktakuzës, Ismaili në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.
Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me Aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.
Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për media, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.
Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismaili.