Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes, Nazmi Verbovci, ka thënë se në prill të vitit 1999, Salih Mustafa ishte dy herë në shtëpinë e tij në Barilevë.
Këtë deklaratë, ai e bëri të mërkurën në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë, gjatë kohës kur po i parashtroheshin pyetje nga avokati Betim Shala.
Fillimisht, ka deklaruar se gjatë vitit 1999 ka jetuar në fshatin Barilevë, ku jeton edhe ditët e sotme.
Ai tha se gjatë marsit dhe prillit të vitit 1999, si në çdo vend në Kosovë, nuk ka qenë situata e mirë e sigurisë as në Barilevë, ku tha se kishte luftime dhe është dashur të angazhohen të gjithë që kishin vullnetin e mirë.
“Formuam grupet tona, njësitet tona për mbrojtjen e popullatës, strehimin e popullatës, sidomos në fshatin tonë, në lagjen tonë “Verbovci”, në fshatin Barilevë. Unë aty kam qëndruar gjithë kohën”, tha Verbovci.
Sipas tij, njësia është grup prej 10, 20 apo 30 personash, kështu që janë angazhuar bashkëfshatarët dhe kanë pasur të vetmin qëllim që të ruajnë popullatën nga grupet paramilitare serbe.
“Kjo ka pas detyrë, kalimin, se i vetmi kalim në zonën e Llapit ka qenë në lagjen tonë. Na jemi vendos aty me kaluar popullatën, i vetmi kanal ka qenë me kaluar zona e Llapit në fshatin tonë. Kemi bërë roje, kemi vëzhguar ku ka ndalime të vendosura nga policia serbe dhe ushtria. Na i kemi pas këto detyra. Njerëzit kanë ardhur prej anës së Llapit janë vendosur na i thomë një livadh mes dy kodra, aty kemi pushu njerëz deri në mbrëmje për me i kaluar në anën e kundërt, me kalu Vranidollin”, tha ai.
Ai tha se ka pasur përgjegjësi vetëm në lagjen e tij, e shtëpinë e tij.
“Ata njerëz kanë qenë civil, pleq, plaka e fëmijë. Aty kanë qenë zona e Gollakut, unë nuk kam pas obligim me dit ku po shkojnë se kanë qenë njerëz pleq, plaka e fëmijë. Unë kam dijeni që kanë mundur me dal vetëm në Vranidoll e aty nuk di, ata e kanë zgjedh rrugën e vet se kurrkush nuk ka mujt me i obligu anej a knej”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, për Prishtinë me siguri kanë mundur të shkojnë, ku për Prishtinë janë 12 km nga Vranidolli, ku kanë kaluar maleve dhe jo magjistrales Prishtinë-Podujevë që ka qenë.
Dëshmitari Verbovci tha se njësia është krijuar në mars- prill 1999, ndërkaq tha se idenë për krijimin e njësive nuk e di kush e ka dhënë, por që me siguri kanë qenë eprorët që kanë udhëhequr luftën, të cilët kanë dijeni më shumë. Ai tha se ka dijeni vetëm për lagjen e tyre.
Tutje, ai tha se ka bashkëpunuar me njerëz të besueshëm sepse koha ka qenë e papërshtatshme pasi është duhur në mënyrë ilegale të punohet.
“Na kemi pas bashkëpunim me njerëz epror, njerëz të ideales, me ata njerëz kena fillu, kena punu dhe kriju njësitin e Barilevës”, tha dëshmitari.
Sipas tij, Barileva ka pasur një njësi në lagjen e Llumnicëve dhe një në shtëpinë e tij, në lagjen Verbovci.
Ai tha se në njësinë e Verbovcëve kanë qenë prej 10 -20 persona në shtëpinë e tij dhe se ai personalisht ka qenë në njësinë e lagjes Verbovci, ku një herë ka qenë në njësinë e lagjes së Llumnicëve e më pas është dashur të kaloj në lagjen tjetër.
“Ma përgjegjës ka qenë shoku im i ngushtë që ka qenë veprimtar i hershëm, Isuf Shalaku. Çdo herë e kena quajt shoku tjetrin komandant komandant, prandaj u shpreha komandant jena kon të gjithë, ama njo ka qenë normal”, tha Verbovci.
Ai tha se Shalaku nuk ka qenë i Barilevës, por ka ardhur t’i ndihmojë dhe ka qenë i fshatit Shkabaj, i cili është diku 15 km larg fshatit Barilevë.
Dëshmitari ka thënë se Isuf Shalakun e kanë llogaritur si komandant, e se ka qenë përgjegjës i tyre, kurse koordinator tha se ka qenë vet ai. Tutje, tha se Shalaku në Barilevë ka ardhur në muajin mars drejt në shtëpinë e tij.
Ai tha se edhe në vende të tjera të Barilevës ka pasur njerëz të vendosur. Kurse, tha se ky fshat i ka diku tetë lagje së paku, pasi me siguri dalin 10 lagje. Më pas, tha se me siguri dalin 10 lagje.
“Në mars kanë hy forcat policore mes Barilevës, kanë vazhduar në fund të Barilevës dhe kanë shkuar kanë vra një profesor i quajtur Selim Berisha. Kur e kam dhënë emrin e kam harru emrin, ai është Selim Berisha, ish-arsimtar, ai është vra në shtëpinë e vet dhe aty ka filluar me u prish situata në fshatin Barilevë”, tha dëshmitari Verbovci, ndërkaq tha se kjo ka ndodhur diku në gjysmë të dytë të marsit në vitin 1999.
Sipas tij, ky person ka qenë i vetmi i vrarë, e ka pas keqtrajtime lloj-lloj.
“Ishte edhe një me cek, ndoshta s’bon publik me cek, unë vetë se kam parë, aty ka pas sene të këqija të forcave serbe”, tha dëshmitari tutje.
Tutje, tha përmes pikës së kalimit ka pasur lëvizje edhe të ushtarëve të UÇK-së, ku ka pasur kontakt me ta pasi të gjithë kanë kaluar përmes tij. Sipas tij, ka pasur ushtarë që kanë qëndruar në Barilevë, në lagjen e Llumnicëve dhe Verbovcëve e ka pasur nga ata që vetëm kanë kaluar.
“Në lagjen e Llumnicëve ka qenë njësiti në shtëpinë e Isuf Llumnicës, te djemtë e Isuf Llumnicës, Kemajl Llumnica ka qenë edhe ushtar, edhe i ka pas në shtëpi. Kurse, në lagjen e Verbovcëve, në shtëpinë e Shaban Verbovcëve që është baba jem”, bëri të ditur ai.
Dëshmitari u pyet në kohën kur na ndjenjur Salih Mustafa në dhomë, a ka pasur njerëz të tjerë në shtëpi. Kurse, i njëjti tha se ka pasur e se kanë qenë familjarët e dëshmitarit.
Sipas tij, kanë pasur armë të thjeshta, pushkë automatike e se kanë përdorur edhe pushkë gjuetie, kallashnikov, të cilat i ka konsideruar të lehta.
“Me qito armë e kena përfundu na luftën”, tha ai, për çka tha se nuk kanë pasur mjaftueshëm municion e plumbat i kanë ruajtur sikurse sytë.
Ai tha se në Barilevë kanë qenë gjithsej 11 të vdekur, nga ta tre dëshmorë, ku të gjitha këto vdekje kanë ndodhur në mars-prill të vitit 1999 dhe se të gjithë kanë qenë nga ky fshat.
Tutje, tha se i dymbëdhjeti i vrarë ka qenë edhe Nexhmi Kaçiu i fshatit Lupq që ka qenë duke qëndruar te një dhëndër i veti dhe është vrarë me 12 prill.
“ Në atë kohë me 12 prill pasdite në orën diku 3 e gjysmë – 4 ka qenë, na kanë ardhur pas shpine forcat serbe policore ushtarake. Kam qenë me ushtarë në shtëpinë time, pas shpine na kanë ardhur malit dhe na kanë zënë në befasi. I kanë marr disa njerëz si peng në mbrojtje të tyre, u alarmuan që hynë serbët, ushtarët prej shtëpisë time kanë dal janë pozicionu, unë kam qenë në shpi i pozicionum në oborrin tim, por nuk erdhën tek unë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kanë filluar më pas luftimet.
“Ata në tërheqje e kanë vra Bedi Kurtollin dhe Nexhmi Kaçiun, në ikje. Fatin e kanë pas edhe tre të tjerë që i kanë rreshtu, të cilët janë gjuajtur nga prapa dhe kanë shpëtu. Bedrin e kanë korr kallash dhe ka mbet i vdekur, në ikje e kanë vra Nexhin”, tha dëshmitari.
Ai shtoi se është plagosur edhe kushëriri i tij Adem Verbovci, 70 vjeçar.
Dëshmitari Verbovci deklaroi se, në shtëpinë e tij e ka parë Salih Mustafën dhe atë në fillim të prillit 1999.
“A ka qenë 1 a po 2 prill, ma e theksume kjo datë dhe së fundi 20 dhe 21 prill dhe më nuk e kam pa kurrë, veç pas lufte në çlirim”, tha ai.
Verbovci deklaroi se herën e parë kur e ka parë Mustafën ka pushuar shumë pak, është përshëndetur me Isuf Shalakun dhe ka vazhduar, por se nuk e di se ku ka shkuar. Kurse, shtoi se aty ka qenë vet i treti, me të cilët persona edhe është larguar. Ndërkaq, shtoi se Mustafa i kujtohet edhe me uniformë dhe pa uniformë.
Sipas tij, herën e parë kur e ka parë Mustafën, ky i fundit ka pasur uniformën e vëshur. I pyetur se çfarë uniforme ka pasur vesh, dëshmitari tha “qito uniformat që i kemi pas laramankat”
Ndërsa, tha se Mustafa çdo herë ka shkuar në këmbë në Barilevë pasi nuk ka mundur të kaloj me automjet andej nga forcat serbe.
“Me Isuf Shalakun vetëm në shtëpinë time i kam parë, tjetër kund nuk i kam parë bashkë”, ka thënë dëshmitari.
Për Shalakun tha se ka pasur mjet transportues, ku e ka pasur në oborrin e dëshmitarit një “Golf 2”.
Lidhur me herën e dytë që e ka parë Mustafën dhe ka dal nga shtëpia e dëshmitarit, ky i fundit tha se vetëm e di se nga shtëpia e tij ka dal për në Vranidoll, e më tutje tha se nuk ka njohuri.
Dëshmitari tha se pas luftës ka kuptuar se ka qenë një njësit i quajtur “BIA”.
“Nuk jam kon i interesum, jam kon i interesum vetëm për popullatë, bashkëfshatarët e mi. Ma tutje nuk di e as nuk kom njohuri”, tha dëshmitari.
Kurse, tha se në kohën kur e ka takuar Mustafën, nuk e ka ditur cilit njësit i takon, por ka ditur vetëm brigadën 151 Zahir Pajaziti.
“Na një emër e kena pas UÇK”, tha ai, duke thënë se nuk ka pasur rëndësi njësiti apo brigada.