Dëshmitarja: Prokurori më premtoi shpërblim nëse dëshmoj kundër Kelmendit

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 10:42 | Nga

Dëshmitarja Margareta Haxhiq erdhi nga Bosnja në Prishtinë për të dëshmuar në rastin e Naser Kelmendit.

Haxhiq është duke e vuajtur dënimin në Bosnjë për tentim vrasje ndaj dy policëve. Momentalisht është liruar përkohësisht në mënyrë që të kujdeset për të birin e saj të hendikepuar.

Ish-anëtarja e organizatës kriminale të K2 (ky i fundit dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë), gjatë dëshmisë përfoli emra të ndryshëm, përfshirë edhe atë të prokurorit të rastit të Naser Kelmendit, Andrew Hughes.

“Jam kërcënuar gjatë kohës që kam qenë në burgun e Zenicës. Unë isha në Tuzla kur pranoja letra nga Zenica në të cilat i merrja udhëzimet rreth asaj se çfarë duhesha të dëshmoj dhe se prokurori (boshnjak) Dubravko Campara do të ma siguronte 1/3 e lirisë nëse do të dëshmoja kundër Naser Kelmendit”, tha dëshmitarja Haxhiq.

Për më tepër, ajo shtoi se prokurori i rastit Kelmendi, Hudghes, ishte në dijeni lidhur me ofertën që i kishte bërë prokurori Campara, gjë të cilën e kërkonte edhe vet prokurori Hudghes.

Dëshmitarja mohoi ta ketë nënshkruar këtë ofertë.

Margareta Haxhiq përmendi “dhuratat” të cilat i kishte marrë nga K2 gjatë kohës që kishte qenë në burg. Përpos fotove të bëra me fotomontazh dhe peshkut sardele brenda qeses së najlonit, që të dyja duke përmbajtur mesazh kërcënues në vete, dëshmitarja Haxhiq mori edhe një zarf nga një dërgues anonim.

“Kam pranuar një zarf të madh të cilin nuk kam dashur ta hap pa praninë e zyrtarit kompetent sepse isha e frikësuar. Aty ishin të shtypura tri kopje. Nuk shkruante se kush ishte dërguesi. Ishin tri deklarata ku unë detyrohesha t’i mohoja ato të cilat i kisha thënë për organizatën kriminale (të K2) duke pretenduar se kam qenë e kërcënuar t’i them”, deklaroi dëshmitarja Haxhiq.

Javën e kaluar, dëshmitarja Haxhiq nuk pranoi të merrej në pyetje nga trupi gjykues i EULEX-it përmes video-linkut si dhe nuk pranoi të shfaqte fytyrën duke pretenduar se nuk dëshironte që trupi gjykues dhe publiku ta paragjykonin atë nga dukja, por ta dëgjonin se çfarë kishte për të thënë, arsye kjo e cila e nxiti të udhëtonte për në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pa dijeninë e askujt.

“Ky udhëtim ka qenë vullneti im. Nëse unë do të shkoja në Sarajevë dhe nëse do të thosha se nuk dua të dëshmojë e njëjta gjë do të më priste. Andaj, kam ardhur këtu drejtpërdrejtë në mënyrë që t’i prezantoj provat nga afër. Siç e thashë unë kam ardhur këtu ta flas vetëm të vërtetën”, tha ajo.

Dëshminë e saj në rastin e Kelmendit vet dëshmitarja Haxhiq e quajti të nxitur nga prokurori Campara, pasi që ky i fundit ia kishte zvarritur procedurën e rihapjes së gjykimit të saj në Bosnjë, ku përmes provave të reja materiale do të vërtetohej pafajësia e saj për veprën penale tentim vrasje.

Kur kryetarja e trupit gjykues Ana Adamska Gallant e pyeti se a ishte takuar ndonjëherë me të akuzuarin Kelmendi, dëshmitarja Haxhiq tha se asnjëherë nuk është takuar me të dhe asnjëherë nuk ka pasur pika të përbashkëta me të, vetëm se përmes letrave të K2 e dinte se i akuzuari Kelmendi kishte nofkën “jo duhanpirës” ose “nepushaq”.

Naser Kelmendi është duke u gjykuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike që nga viti 2015.(Kallxo.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme