Dëshmitarja thotë se i akuzuari s’e ka audituar procesin e tenderit por shkresën e saj që kishte të bënte me futjen e kompanisë “Sallahu” në listën e zezë

Prishtinë | 27 Shk 2024 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së martës, dëshmitarja Valmira Bllaca, ish-zyrtare përgjegjëse në Departamentin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), ka deklaruar se Raporti i Auditimit nga i akuzuari Begzat Musliu ka pasur të bëjë personalisht me të (dëshmitaren).

Një deklarim të tillë, dëshmitarja Bllaca e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast Begzat Musliu akuzohet se jashtëligjshëm përpiloi një raport auditimi në favor të kompanisë “Sallahu”, ndërsa Naim Sallahu, ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K. akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Ndryshe, dëshmitarja Bllaca kishte filluar dëshminë e saj në seancën e kaluar, me 26 janar 2023, ku mes tjerash kishte deklaruar se ka inicuar futjen e kompanisë “Sallahu” në listë të zezë, pasi kishte falsifikuar një referencë.

Gjithashtu, në seancën e sotme, ajo tha se në rastin konkret në atë raport është përqeshur puna e saj.

Po ashtu, ajo u pyet edhe se a ka qenë e domosdoshme që të bëhet një raport i auditimit në rastin konkret.

Në lidhje me këtë ajo tha se nuk është audituar procesi i tenderit.

“Ky nuk e ka auditu procesin e tenderit, po shkresën që unë e kom bo për me shti në listën e zezë…”, tha dëshmitarja Bllaca.

Gjithashtu në këtë seancë janë konsideruar të lexuara edhe provat materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë në aktakuzë, me përjashtim të provave me numër rendor 40 deri në 46, pasi që janë prova personale, si dhe deklaratës së të pandehurit Fadil Shehu (numër rendor 19 dhe 38), pasi që për të njëjtin është veçuar procedura.

Ndërsa, propozime për dëgjimin e disa dëshmitarëve të tjerë patën edhe të akuzuarit Musliu dhe Sallahu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Osman Havolli propozoi që si dëshmitarë të dëgjohet kryesuesi i panelit shqyrtues Blerim Dina, në lidhje me vendimin e këtij paneli me të cilin është refuzuar kërkesa e autoritetit kontraktues të MI-së.

Sipas të akuzuarit Musliu, vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është kriminal, duke shtuar se në raportin e tij nuk mund të gjendet konstatim se a është fals apo origjinal dokumentacioni i kompanisë “Sallahu”

Po ashtu, ky i fundit propozoi që si dëshmitar të dëgjohet edhe eksperti shqyrtues Burim Shehu, ish-udhëheqësi i divizionit të projekteve në Ministrin e Infrastrukturës, Hysen Merovci, si dhe ish-udhëheqësja e departamentit ligjor të kësaj ministie, Nexhibe Behluli.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Avni Syla, refuzoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve Dina dhe Shehu, pasi konsideroi se dëgjimi i tyre nuk është i nevojshëm.

Ndërsa, aprovoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve Merovci dhe Behluli që të njëjtit të dëgjohen në seancën e ardhshme.

Po ashtu, trupi gjykues aprovoi edhe propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Sallahu, avokatit Flamur Bllacaku, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Shaban Krasniqi.

Kurse, këto propozime paraprakisht ishin kundërshtuar nga prokurori Bashkim Zeqaj, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtat të refuzohen.

Sipas aktakuzës, i pandehurit Musliu me nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë.

Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.

Me këtë, i akuzuari Sallahu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme