Institucionet e vendit e prolonguan miratimin e Ligjit për institucionet mikrofinanciare duke ua vazhduar kështu luksin këtyre institucioneve të cilat veprojnë në kundërshtim me misionin e tyre dhe të cilat u japin qytetarëve kredi me kamata deri në 30 për qind, ndërkaq nga ana tjetër këto institucione duke mos i paguar shtetit tatim. Sipas guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, gjithsej asetet e këtij sektori në muajin shtator 2018 ishin në shumën prej 236.2 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 28.6 përqindësh.
Gjithashtu, vlera e kredive të këtij sektori prej 173.7 milionë eurosh ka shënuar rritje vjetore prej 28.6 përqindësh.
Po ashtu, ligjvënësit në Kosovë kanë dështuar që ta aprovojnë edhe Ligjin për nivelizim pagash, duke vazhduar kështu diskriminimin në paga brenda sektorëve të caktuar dhe, njëherësh favore për persona të caktuar sa iu përket koeficientëve në pagë.
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës u treguan të pavullnetshëm edhe sa i përket hapjes së rrugës për zhvillim të gjigantit ekonomik “Trepça”, pasi pas më shumë së dy vjetësh që kur u miratua Ligji për “Trepçën”, nuk arritën ta harmonizonin draft-statutin e kësaj ndërmarrje. /Epoka e Re