Dështimi i 36–të, mbetet Kuvendi i pakonstituar

Prishtinë | 23 Qer 2025 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i 36-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Sërish përpjekje e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Nga 99 deputetë të pranishëm, 53 deputetë votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 25 qershor, në orën 11:00.

Murati akuzon opozitën se me mosvotim po e shkel Kushtetutën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati, tha se me mospjesëmarrjen në votim, deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tij, thotë se deputetët janë të obliguar që të marrin pjesë në votim, raporton Ekonomia Online.

“Sado që duket e pabesueshme kemi mbi 30 here që deputetët e opozitë vijnë në sallë dhe refuzojnë të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë, të marrin pjesë në votim”.

Murati akuzoi opozitën për një qasje bllokuese sistematike ndaj ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Është marrëveshja me Bankën Botërore që pret për miratim nga maji i vitit të kaluar, kjo e dëshmon se nuk bëhet fjalë vetëm për një emër të përveçëm, siç pretendon opozita, por bëhet fjalë për një bllokadë sistematike, qysh edhe gjatë legjislaturës së kaluar kur refuzonin ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Murati, pas dështimit të sotëm të konstitutimit të Kuvendit.

Tahiri: Humbëse e këtyre zgjedhjeve është Vetëvendosje

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Secili deputet e ka përgjegjësi kushtetuese të jetë në seancën e Kuvendit dhe t’i japë drejtim formimit të organeve të Kuvendit të Kosovës, siç janë Kryesia dhe kryetari. Këtu nuk jemi duke bllokuar nga partitë e tjera, por jemi të bllokuar nga partia e parë.

Duke qenë se është në të drejtën e saj për të bërë propozime dhe duke pasur parasysh që nuk ka shumicë parlamentare këta kanë vendosur ta bllokojnë situatën. Asnjë parti nuk mund ta bllokojë, përpos partisë së parë. Ata janë që e kanë bllokuar dhe atyre iu takon të marrin veprime. Ne kemi hapur rrugë tashmë disa herë që janë disa kandidatë që mund të votohen nga PDK.

Në këtë rast, Kurti ka vendosur ta bllokojë këtë situatë. Humbësi i këtyre zgjedhjeve është VV-ja, sepse shihet që tashmë këta nuk kanë partner të qeverisin dhe duke parë matjet e opinionit publik janë partia që ka rënien më të madhe. Nuk janë njerëz që të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve ” , tha Tahiri.

Bajrami: Sikur të kishim Kuvend të konstituar do të diskutonim për KEK-un dhe mafinë energjetike

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami pas dështimit të 36-të të seancës konstituive shprehu keqardhje dhe theksoi se sikur të kishim Kuvend të konstituar do të flisnim për gjendjen në KEK dhe mafinë energjetike, raporton Ekonomia Online.

“Sot i keni parë se çfarë po rrjedhin tymtarët e KEK-ut, jemi në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
1300 biznese po refuzojnë të nënshkruajnë kontrata, duke kundërshtuar përfshirjen në tregun e lirë të energjisë. Është kaos.

Ka ndodhur një dyfishim i faturave të energjisë elektrike, i kemi 1300 biznese që janë në kaos sa i përket furnizimit që po refuzojnë të nënshkruajnë kontrata me furnizuesin e fundit, e të cilat nuk e dinë se çfarë do të ndodhë pas 60 ditësh kur i kalon afati i furnizimit KEK-ut, si furnizuesi i fundit”, tha ajo.

Bajrami vuri theksin te një tender në vlerë 37 milionë euro me negociata, të shpallur nga KEK-u për modernizmin e Kosovës A.

“Merrnie me mend nuk ka as studim fizibiliteti”, tha Bajrami.

Haradinaj: Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, situata në vend është e rëndë

Pas dështimit të radhës në konstituimin e Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese pas adresimit që kanë bërë lidhur me procesin, raporton Ekonomia Online.

“Edhe sot nuk ka ndryshim. Ne po shpresojmë që këto ditë do të vjen përgjigja e Gjykatës Kushtetuese me adresimin që e kemi bërë ne. Po presim këtë vendim dhe si të veprojmë më tutje. Jemi në ditët e fundit të përgjigjes. Po shpresojmë që na hap rrugë për të shkuar përpara. Po e shohim se gjendja është e keqe.

Është e palogjikshme me pasur drejtë një kandidat dhjetëra herë të kandidohet. Shpresoj që gjykata të reflektojë në këtë pjesë. Kosova po ndëshkohet. E shihni si është gjendja me energji dhe plot sfida të tjera. Gjendja nuk është e mirë, është e vështirë”, shtoi Haradinaj.

Krasniqi: Të gjitha partitë kanë përgjegjësi, qytetarët meritojnë zgjidhje

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbresha Krasniqi, kërkoi që subjektet politike të ulen dhe të diskutojnë me maturi për të dalë nga ngërçi institucional, duke theksuar rëndësinë e arsyetimit të votës së qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

“Jam e bindur që të gjitha partitë politike, përveç asaj që e kërkon votën dhe e merr votën është e rëndësishme që të arsyetosh besimin qytetar. Qytetarët janë të vetëdijshëm dhe përtej saj edhe ata qytetarë nuk e kanë ditur saktë si qëndron, si është situata.

Tani e kanë të qartë ta kuptojnë jo në forma histerike ta arsyetojnë votimin e qytetarëve, por duhet të jenë në gjendje të ulen dhe të diskutojnë për të dhënë një zgjidhje që është në interes të qytetarëve. Subjektet politike duke filluar nga partia e parë deri tek ne kemi përgjegjësi edhe për ngritjen e çmimeve, shtrenjtimin e energjisë”, tha ajo.

Të ngjashme