Në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post dhe hera e parë për Nagavcin dhe Bashkën.
Për Muratin dhe Nagavcin votuan 55 deputetë, 46 ishin kundër. Për Muratin abstenuan pesë deputetë, e për Nagavcin katër.
Ndërsa, Basha mori 57 vota për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan. Ai mori votën e Arben Gashit dhe Bekë Berishës, nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.
Gjatë kësaj jave, në vazhdimin e seancës të hënën më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi njërën pas tjetrës Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Asnjëra nga kandidatet nuk mori 61 votat e nevojshme.
Ndërsa, dy ditë më pas, më 22 gusht, dështoi edhe zgjedhja e të propozuarit të radhës të Vetëvendosjes Hekuran Murati.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive ishte i treti pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Murati: Iu hoq peta laknorit, u dëshmua se opozita po e mban Kuvendin e bllokuar
Deputeti i Vetëvendosjes , Hekuran Murati, tha se sot përfundimisht “ju hoq peta laknorit”, duke u dëshmuar, sipas tij, se opozita po e mban Kuvendin e bllokuar, raporton Ekonomia Online.
Murati tha se qëllimi që nga fillimi ka qenë të bllokohet Kuvendi, për shkak se nuk duan ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Të gjitha kanë qenë arsyetime për të zvarritur kohën. Është kohë e humbur për qytetarët, për institucionet dhe të gjithë. Ata po kërkojnë figurë uniteti, por uniteti duhet për presidentin, kryetarin e Kuvendit e zgjedh partia e parë fituese. Qëllimi i këtyre partive është që rezultatin që nuk ua dha qytetari në zgjedhje, ta vjedhin në tavolinë përmes vendimeve si ai i Kushtetueses”, tha Murati.
Krasniqi: VV po e thellon krizën, Dehari injoroi kërkesën e PDK-së për konsultim
Kryetari i PDK-së dhe deputeti, Memli Krasniqi, pas seancës konstituive të Kuvendit ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e thellon krizën politike dhe se procesi po zhvillohet me arrogancë dhe në kundërshtim me rregullat, raporton Ekonomia Online.
Ai kritikoi mënyrën e propozimeve për kryetar të Kuvendit dhe injorimin e kërkesës së PDK-së për konsultime.
“Interesimin e vetëm e ka thellimin dhe vazhdimin e kësaj krize. Ata edhe në diskursin e tyre nuk e dinë as a janë deputet as ministra. Murati doli e propozoi për kryetare të Kuvendit një kolege nga kabineti qeveritar, që është e kundërligjshme.
Në momentin kur e vendosën pa konsultim (Dimal Bashën), kryetari i Grupit Parlamentar Abelard Tahiri kërkoi nga kryesuesi Dehari një pauzë 10 minutëshe që të merrnim vesh për votim para se të votohej dhe kjo u injorua. Kjo pauzë do të mund të ishte mundësi me e marrë për të votuar kryetarin e Kuvendit, edhe nëse ai ishte Dimal Basha. Në seancën e radhës, nëse të mos ketë arrogancën e njëjtë Dehari, që nëse ka një propozim që mund t’i marrë votat e PDK-së, të marrë një pauzë 10 minutëshe për të diskutuar për një kandidaturë”, tha Krasniqi.
Mustafa: LDK nuk voton kandidatë pa marrëveshje politike, vota e Gashit ishte qëndrim i tij
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se partia e tij mbetet konsistente në qëndrimin për të mos votuar kandidatë për kryetar të Kuvendit nga asnjë parti me të cilën nuk ka marrëveshje politike paraprake, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se i njëjti parim është zbatuar edhe në votimin e fundit, pavarësisht emrave të propozuar nga VV.
“Kemi thënë që nuk votojmë asnjë kandidat të asnjë partie me të cilën nuk kemi një marrëveshje paraprake politike. Njësoj vepruam edhe sot, pavarësisht edhe emrave që VV-ja propozoj vazhdimisht. LDK mbetet konsistente, kemi qëndrimin e njëjtë që kemi pasur, nuk votojmë kandidat për kryetar nga një parti me të cilën nuk kemi marrëveshje politike paraprake”, ka deklaruar Mustafa.
Sa i përket votimit pro të deputetit të LDK-së, Arben Gashi, për Dimal Bashën, Mustafa theksoi se ai ka vepruar në mënyrë të pavarur si deputet.
“LDK është me të vërtetë demokratike dhe Gashi ka qëndrimet dhe veprimet e tij, parametër në cilësinë e deputetit”, tha Mustafa.
Kadrijaj kritikon VV-në: Propozimi i Bashës ishte i qëllimshëm, munguan konsultimet me grupet parlamentare
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kritikoi VV-në për mungesën e konsultimeve me gruper parlamentare para propozimit të emrave për kryeparlamentar, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Basha u propozua qëllimshëm pasi sipas saj ka qenë agresiv ndaj partive tjera me deklaratat e tij.
“Duhet konsultim mes grupeve parlamentare. Ne i kemi dhënë disa qëndrime e emra që me automatizëm do t’i votonim, por për kandidatët e tjerë duhet konsultë paraprake”, ka thënë ajo, pas dështimit të seancës konstituive.Besoj që qëllimshëm është propozuar Dimal Basha sepse ka qenë tepër agresiv ndaj partive tjera me deklarata dhe sigurisht kanë menduar që nuk do t’i marrë votat”, tha Kadrijaj.
Izmaku: Nisma do ta ndihmojë krijimin e institucioneve pa asnjë kusht, vetëm të ketë shumicë parlamentare
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se partia e saj është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve, pa vendosur asnjë kusht. Ajo tha se Nisma do të mbështesë çdo shumicë që formohet nga partia fituese e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
“Në momentin që partia e parë e ka të mundur që të krijojë një shumicë, ne do të jemi aty pa asnjë kusht. Nuk ka të bëjë vetëm me Nismën që të jetë pjesë e partneritetit, por me secilën parti që VV bën një shumicë, Nisma do ta ndihmojë në krijimin e institucioneve”, tha Izmaku.
