Iniciativa e ish-kryeministrit Hashim Thaçi për të hapur universitete publike në çdo qytet të Kosovës po del të jetë e pasuksesshme. Agjencia e Akreditimit të Kosovës ka pezulluar shumë programe të këtyre Universiteteve.
Me vendim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi komunat kryesore të vendit ishin shndërruar në “qytete universitare”.
Me këtë rast në Pejë ishte themeluar universiteti “Haxhi Zeka”, në Gjilan “Kadri Zeka”, në Prizren “Ukshin Hoti”.
Universitet është hapur edhe në Mitrovicë, në Gjakovë, në Ferizaj.
Por, pak vite pas themelimit këto universitete po ballafaqohen me pezullim të programeve akademike nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) në mungesë të stafit adekuat akademik, shkruan gazeta “Zëri”.
Në Universitetin e Ferizajt është pezulluar programi Menaxhment Industrial. Në universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” po ashtu janë pezulluar tri programet: Shkenca kompjuterike, Parashkollor, si dhe Programi Fillor.
Në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” janë pezulluar shtatë programe: Kontabilitet dhe Financa, Agro-Ekologji dhe Agro-Mjedis, Administrim biznesi në bachelor dhe në master, Juridiko-Penal, Regji-Filmi dhe TV, Juridik i Përgjithshëm.
Në universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” janë pezulluar dy programe: Agrobiznes, si dhe programi Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhimi i Turizmit.