Të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin “Diploma”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi po akuzohen zyrtarët e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Maxhun Maloku e Fadil Rexhepi, pjesëtari i FSK-së, Enver Franca, si dhe Remzi Bislimi.
Kurse, Razim Berisha, Mehdi Gjoshi dhe Fatime Sabedini, akuzohen se kishin ndërmarrë veprime të ndryshme në falsifikim të diplomave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkak për mos mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor ka qenë mungesa e të akuzuarës Sabedini, për të cilën, gjykatësi i rastit, Sahit Krasniqi, tha se e njëjta gjendet në Turqi, dhe se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e saj.
Lidhur me këtë, gjykatësi Krasniqi tha nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, andaj mori vendim që seanca e paraparë për të enjten, të shtyhet në afat të pacaktuar.
Ndryshe, edhe seancat e parapara për 25 prill dhe 6 qershor të vitit 2019, kanë dështuar të mbahen në mungesë të mbrojtësve dhe disa të akuzuarve.
Sipas aktakuzës, Maxhun Maloku, akuzohet se si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, në datat 9 dhe 30 tetor, 12 e 17 nëntor 2014, si dhe më 20 shkurt 2015 në Ferizaj, pa autorizim i kishte siguruar informatën zyrtare përmes telefonit të pandehurit, Enver Franca, se ishte planifikuar operacion për kontrollin e restoranteve të natës, e që pastaj ky kishte njoftuar të akuzuarit tjerë Razim Berisha dhe Remzi Bislmi, i cili kishte larguar vajzat nga restoranti të cilat nuk kishin leje të punës dhe të qëndrimit në Republikën e Kosovës.
Me çka, akuzohet se me ato veprime ka kryer veprat penale, zbulim i fshehtësisë zyrtare dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.
Maloku po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale, ushtrim i ndikimit, sepse sipas aktakuzës, më 12 nëntor 2014, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të pa drejtë në vendimmarrje, kishte kërkuar nga i akuzuari tjetër Fadil Rexhepi, që të mos dënoheshin dhe të mos dëbohen nga territori i Kosovës, qytetaret e Republikës së Shqipërisë, të cilat ishin ndaluar nga policia dhe u ishin konfiskuar dokumentet e identifikimit, derisa ishin duke u kthyer nga restoranti “International Italia”, të cilin e menaxhonte i akuzuari Remzi Bislimi.
I akuzuari tjetër në këtë rast, Fadil Rexhepi, akuzohet se po ashtu se si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, më 12 nëntor 2014, ka keqpërdor detyrën zyrtare, pasi që me rastin e ndalimit të vajzave nga Shqipëria, të cilat punonin pa leje pune dhe pa leje qëndrimi nuk u kishte shqiptuar gjoba dhe masën e dëbimit nga territori i Republikës së Kosovës.
I njëjti akuzohet nga prokuroria edhe për kryerjen e veprës penale, zbulim i fshehtësisë zyrtare sepse më 24 dhjetor 2014, si person zyrtar pa autorizim kishte siguruar informatën zyrtare personit tjetër.
Ndërsa, Enver Franca, akuzohet se si pjesëtar i FSK-së, kishte kryer veprën penale ushtrim i ndikimit, pasi që nga data 8 nëntor deri më 18 dhjetor 2014, në qendrën e doktrinës dhe stërvitjes në Ferizaj, ka kërkuar shpërblim në para, që të ushtrojë ndikim tek anëtarët e komisionit për testim fizik të kandidatëve për kadetë të FSK-së, në atë mënyrë që kishte marrë 200 euro nga baxhanaku i tij, Osman Maxherra, që t’i ndihmojë Nehat dhe Zyhra Kuqit për ta kaluar testin fizik për kadetë të FSK-së.
Ai po ashtu akuzohet edhe për dy vepra të tjera penale, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe ndihma në kryerjen e veprës penale, shmangie nga tatimi.
Ndërkaq, Remzi Bislimi, si menaxher i restorantit “International Italia”, në fshatin Prelez i Jerlive, Komuna e Ferizajt, akuzohet se mes datës 8 deri 12 nëntor 2014, i kishte premtuar shpërblim të akuzuarit Maxhun Maloku, që të ushtrojë ndikim tek personi tjetër zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, Fadil Rexhepi, që të mos dëboheshin valltaret nga Shqipëria. Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit”.
Njëkohësisht, Bislimi akuzohet edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.
Tutje, sipas aktakuzës, Razim Berisha, si pjesëtar i FSK-së, akuzohet për veprat penale “ushtrim i ndikimit”, nga neni 431 par.1 të KRPK-së, ushtrim i ndikimi në vazhdimësi, për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre nga neni 386 par.1 nënparagrafi 1.9 . dhe për veprën “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 388 par.1 dhe par.2 nënpar.2.9 të KPRK-së.
I akuzuari Mehdi Gjoshi, akuzohet për marrje të ryshfetit dhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi që si sekretar në Gjimnazin “Gjergj Kastrioiti- Skënderbeu” në Drenas, kishte pranuar si shpërblim në para shumën prej 200 eurove nga Rrahim Elshani, për të lëshuar dokumente zyrtare dublikate të falsifikuara në emër të Fatime Morinës.
Kurse, Fatime Sabedini, akuzohet se për t’u regjistruar në Kolegjin “Fama”, mes datave 25 – 30 nëntor 2014, kishte dorëzuar dokumente të falsifikuar kinse ka të kryer shkollën e mesme në Gjimnazin, “Gjergj Kastrioiti- Skënderbeu” në Drenas. Me çka akuzohet se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 par.2 të KPRK-së.
I akuzuar për ushtrim ndikimi në këtë rast kishte qenë edhe Isak Smajli, sekretar i Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, në Drenas, mirëpo, i njëjti në seancën e 1 nëntorit të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej dhe ndaj tij ishte veçuar procedura.
Ndaj Smajlit, më 14 nëntor 2018, gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër muaj burgim, por, dënimi me burgim, me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 1500 euro.
Smajli akuzohej se në cilësinë e sekretarit të kësaj shkolle kishte pranuar ofertën nga Enver Franca në shumën prej 800 euro, që të ndikojë te zyrtarët e drejtorisë së shkollës, që t’i lëshohej një diplomë e falsifikuar si dëshmi për t’u avancuar në vendin e punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjithashtu, i akuzuari ka qenë edhe profesori i Gjimnazit “Gjergj Kastriot-Skënderbeu” në Drenas, Rrahim Elshani, i cili më 21 mars 2019, është dënuar me dy vjet burgim me kusht, pasi paraprakisht kishte pranuar fajësinë për tri vepra penale ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe dhënie të ryshfetit.
Pranimin e fajësisë ai e kishte bërë në seancën që ishte mbajtur më 19 mars 2019.
Për veprën e parë, ushtrim i ndikimit, ai është dënuar me një vit burgim, për falsifikim të dokumenteve zyrtare është dënuar me nëntë muaj burg, ndërsa për veprën e tretë, atë të dhënies së ryshfetit është dënim me gjashtë muaj burgim.
Mirëpo, kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli ka thënë se konform nenit 80 të KPRK-së, gjykata për të gjitha këto vepra penale i shqipton dënimin unik, në kohëzgjatje prej dy vjetësh burgim, i cili dënim atij nuk do t’i ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej dy vjetësh ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre.
Elshani akuzohej se gjatë vitit 2015, si profesor i Gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, në Drenas, kishte pranuar ofertën për përfitim pasuror, në atë mënyrë që pas bisedës me të pandehurin Enver Franca, kishte pranuar ofertën në para në shumën prej 800 euro, që të ndikonte te zyrtarët e drejtorisë së shkollës së mesme profesionale “Fehmi Lladrovci”, në Drenas, që t’i lëshohej një diplomë e falsifikuar në emër të Enver Francës.
Gjithashtu, ai akuzohej se kishte shënuar të dhënat të pavërteta në emër të Fatime Morinës, kinse kishte qenë e regjistruar në gjimnaz, drejtimi matematikor-natyror.