Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, të mërkurën, ka dështuar të mbahet gjykimi për vepra kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale, në rastin e njohur me emrin si “Syri i Popullit”.
Në këtë rast, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.
Sipas gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, gjykatësi Ismajli ka një udhëtim zyrtar në Gjermani, e që për këtë udhëtim, ajo tha se nuk ishte në dijeni deri të premten e kaluar, derisa shtoi se paraprakisht kishte anuluar urdhëresat për sjellje nga paraburgimi për të akuzuarit Ramabaja, Sallova dhe Jashari.
Krasniqi-Jashanica ka deklaruar se seancat e radhës për këtë rast do të mbahet më 12 dhe 13 dhjetor 2019, në orën 09:30.
Në këtë seancë pritej të jepej mbrojtja e disa prej të akuzuarve që nuk ishin deklaruar ende për akuzat ndaj tyre.
Ndërsa, në seancat e mbajtura më parë ishin dëgjuar të akuzuarit Llumnica, Ramabaja, Halimi dhe Luzha.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.Klan.Kosova.