Dështon përsëri Komisioni për Administratë Publike, shkak bojkoti i opozitës

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 11:30 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bojkoti i opozitës ka dështuar përsëri Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie në të cilën pritej që të shqyrtoheshin Projektligji për pagat, për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Në takimet joformale të anëtarëve të komisionit, këta të fundit janë dakorduar që në këtë takim të diskutohet edhe Projektligji për transmetuesin publik.

Shqipe Pantina nga PSD propozoi që për hir të bashkëpunimit pozitë-opozitë, të merret parasysh kërkesa e opozitës që Projektligji për RTK-në të shqyrtohet pas dy javësh, raporton Ekonomia Online.

“Dy partitë e tjera opozitare nuk janë sot në takim dhe nuk janë me një arsye, kërkesa është diskutu të hanën ishte që ligji për transmetuesin të shtyhet për dy javë që të konsultohemi edhe për grupet e tjera, sepse përveç qeverisë kanë ardhë edhe nga grupe të tjera”.

“Kërkesa jem është që për hir të ruajtjes së bashkëpunimit pozitë-opozitë me shty ligjin për transmetuesin publik të paktën edhe për dy javë që të mos t’i bllokojmë ligjet e tjera. Përndryshe opozita nuk merr pjesë në mbledhje dhe dështojnë mbledhjet për shkak të kuorumit”.

Bojkotin e komisionit nga opozita Xhevahire Izmaku nga PDK-ja e cilësoi të paarsyeshëm, raporton EO.

“Është për keqardhje. Ata kanë mujtë me qenë këtu edhe me thanë që ligjin për RTK-në nuk po e shtina në rend dite, por janë edhe tri ligje të tjera. Është e pajustifikueshme dhe e paarsyeshme , ata kanë mujtë me qenë këtu së paku për ligjet e tjera”.

“Mendoj që s’ka të drejtë kërkush me blloku punën e komisionit, e aq më pak kur kemi ligje kaq të rëndësishme. E di sigurt që ti nuk je e sigurt që ata kthehen pas dy jave”.

Ndërsa kryetari i komisionit, Nait Hasani, propozoi që projektligji të kalojë në seancë për lexim të parë e pastaj të merren parasysh vërejtjet dhe kërkesat e grupeve të caktuara, raporton EO.

“Po propozoj që në parim me i kalu të gjitha. Ata që i kanë thënë vërejtjet ne duhet t’i shqyrtojmë , nuk ka arsye që të shtyhen sepse janë shqyrtu disa herë. Tjetër është që nuk duan të marrin pjesë. Ata që e bojkotojnë le të tregojnë që nuk janë për diasporën. Unë jam që ta vazhdojmë le ta përcjellim në parim. Një kanal televiziv që e kanë kërkuar diaspora është i pamundshëm”.

Mirëpo nëse kërkesa e opozitës për shtyrje të shqyrtimit  të projektligjit nuk aprovohet, nënkryetarja e komisionit, Shqipe Pantina, tha se as ajo nuk do të qëndrojë në mbledhje dhe do t’i bashkohet pjesës tjetër të opozitës.

“Dy javë nuk mendoj që ka peshë shumë të madhe në ligj, por është shumë e rëndësishme me dëgju kërkesën e individëve. Po kërkoj që për hir të ruajtjes së bashkëpunimit me tregu mirëkuptim për kërkesën e opozitës, përndryshe edhe unë nuk rri në mbledhje dhe i bashkohem pjesës së opozitës dhe nuk rri as për votimet e projekligjeve tjera”.

Albert Kinolli nga 6+ tha se askush nuk do të duhej të bëhet avokat i dikujt tjetër, kjo duke iu referuar deputetes Pantina.

“Mendoj se paraprakisht ky është takimi i tretë që jem tu e mbajtë gjatë kësaj jave. Na jemi dakordu për rendin e ditës dhe mendoj që ligji për RTK-në nuk është në shërbim të asnjë individi dhe mendoj që nga kolegët e tanë mendoj se bojkoti nuk është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit. Përderisa i kanë kërkesat, mendoj se ata është dashtë me qenë prezent. As unë, as askush tjetër nuk është dashtë me qenë avokat i dikujt”.

“Ky qëndrim i sotëm është befasi, sepse dje në takimin nuk u tha ky qëndrim. Po të thuhej dje do të ishte në rregull, por tani në këtë situatë s’po më duket korrekte dhe një qëndrim joparimor, sepse dje kemi qenë në dakordancë”, tha në anën tjetër anëtari i komisionit nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj.

Qëndrimin e saj e përsëriti edhe një herë Shqipe Pantina.

“Unë s’po flas në emër të tyre, por po kërkoj që t’i japim edhe dy javë. Po mundohna me gjetë një rrugë të mesit. Unë nuk jam me i blloku, por nëse nuk respektohet opozita edhe unë jam pjesë e kësaj opozite edhe do të solidarizohna me pjesën tjetër opozitë”.

Të ngjashme