E vogël ka qenë edhe protesta e dytë me radhë, e organizuar nga shoqëria civile dhe e përkrahur nga Lëvizja “Vetëvendosje” kundër aferës “Pronto II”.
Diçka më shumë se 100 persona kanë defiluar edhe një herë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri para Teatrit Kombëtar të Kosovës nën brohoritjet “Poshtë Qeveria”.
Organizatorët e protestës thanë se kjo nuk do të jetë protesta e fundit, por është vetëm fillimi i kundërshtimit të këtij sistemi të korruptuar. Madje ata lexuan edhe një deklaratë publike, të cilën e bën në formë betimi përmes së cilës premtuan angazhim deri në rrëzimin e tyre.
“Ne qytetarët e Kosovës, të mbledhur në këtë shesh publik, me vullnet të lirë pas daljeve të përgjimeve kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme, përgjegjësi politike të të përgjëruarve dhe mbështetësve të tyre. Këto janë kërkesat tona dhe angazhimi ynë i përditshëm derisa ju të mësoheni. Ju nuk jeni sunduesit, por shërbëtorët tanë”, thuhet në njërin prej betimeve që bënë protestuesit, raporton “Zëri”.
Ndërkohë në një fjalë rasti foli edhe profesori Skënder Boshnjaku. “Asnjëherë nuk e kemi pasur punën më keq. Asnjë qeveri nuk ka punuar më shumë kundër qytetarëve sesa kjo Qeveri. Ose jemi ne të këqij, ose këta janë të këqij. Këta e kanë shndërruar shtetin në një vend ku mund të vjedhin dhe mund të bëjnë çka të dëshirojnë”, ka thënë Boshnjaku.
Krejt në fund foli edhe analisti, Imer Mushkolaj. Ai ftoi të gjithë të pranishmit që të njoftojnë të afërmit e tyre deri në protestën e radhës, e cila pritet të jetë të mërkurën,
“Bisedoni edhe më të afërmit tuaj që të vazhdojmë me protestat tona të përbashkët. Ne nuk do të ndalemi siç edhe thamë në deklaratën tonë të përbashkët. Protesta e radhës do të jetë të mërkurën, në orën 19:00. Deri atëherë ju ftoj që të argëtoheni me përgjimet që shpërfaqin me kriminalitetin politik”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërkohë, Portali “insajderi.com” ka publikuar edhe videon e pestë me radhë. Kësaj radhe ky përgjim për protagonistë ka shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, me ish-ministrin e Arsimit, Ramë Buja.
Ky portal po ashtu ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të publikojë edhe qindra përgjime të tjera në të cilat protagonist është Adem Grabovci. /Zëri/