Për shkaqe procedurale ka dështuar të mbahet gjykimi fillestar në mungesë ndaj Cvetko Kostiqit, i akuzuar për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
EO mëson se seanca ka dështuar të mbahet pasi ende nuk është lëshuar letërreshtimi ndërkombëtar për arrestimin e të akuzuarit, çka ka pamundësuar zhvillimin e gjykimit.
Sipas aktakuzës, e dëmtuara, për shkak të pamundësisë që ta linte vetëm gjyshen e saj në moshë të shtyrë, kishte qëndruar me të në shtëpinë familjare.
Në këtë kohë, thuhet se në shtëpi kanë hyrë tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma policore, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Cvetko Kostiq.
Në aktakuzë përshkruhet se Kostiq e kishte urdhëruar të dëmtuarën, e identifikuar si F1, që të hynte brenda në shtëpi, ndërsa pas disa minutash aty kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe të uniformuara.
“E dëmtuara në pamundësi që të lërë gjyshen e saj, e cila ishte në moshë të shtyrë, ka qëndruar me gjyshen në këtë shtëpi dhe gjatë kohës sa ka qenë në këtë shtëpi kanë ardhur tre policë serbë të armatosur dhe me uniforma të policisë, në mesin e tyre i pandehuri Cvetko Kostiq, i cili e kishte urdhëruar të dëmtuarën F1 që të hynte brenda në shtëpinë, ku pas pak minutave kishin hyrë edhe dy pjesëtarë të forcave serbe të uniformuar, të cilët e detyrojnë të dëmtuarën që të shkonte në një dhomë tjetër, ndërsa gjyshja të qëndronte aty ku ishte”, thuhet në aktakuzën kundër Cvetko Kostiqit.