Koncerti virtual i yllit latin, Marc Anthony, ishte planifikuar të transmetohej të shtunën më 17 prill.
Por përfundimisht, koncerti i shumëpritur dhe mjaft i reklamuar me titull, “Marc Anthony Una Noche”, u transmetua falas mbrëmë në kanalin e këngëtarit në YouTube.
Ky shou, biletat e së cilit tashmë ishin shitur, planifikohej të transmetohej në platformën “Maestro”, por u anulua për shkak se kërkesat e mëdha për ta ndjekur atë live shkaktuan kolaps të plotë të platformës. Të paktën kështu thuhej në një deklaratë për media të lëshuar nga ylli i muzikës latine, Marc Anthony, në mëngjesin e së dielës.
Adhuruesit e tij anembanë botës kanë paguar ndërmjet 25 deri në 40 dollarë për një biletë, dhe koncerti virtual i këngëtarit u bë temë diskutimi në rrjetin social Twitter, që ishte pushtuar nga mesazhet e fansave të cilët i shprehnin brengat dhe pakënaqësitë e tyre për shkak se nuk po mund të kenë qasje për ta ndjekur shoun.
Tani, paratë e biletave do t’iu kthehen të gjithë atyre që kanë paguar për to, dhe fansat patën rastin ta ndjekin performancën 1 orë e gjysmë të idhullit të tyre falas.
“U kam kërkuar promovuesve të koncertit që t’i kthejnë të gjitha të hollat e fituara nga biletat, dhe procesi i rimbursimit do të fillojë sot. Gjithashtu dua t’iu them se, ngaqë ua kam premtuar një koncert, atëherë do t’ua ofrojë atë. Version i incizuar i tërë shout të cilin nuk patët rastin ta ndiqnit të shtunën, do të prezantohet plotësisht falas të dielën mbrëma, në kanalin tim në YouTube. Ai do të jetë në dispozicionin tuaj për 24 orë”, kishte bërë të ditur Anthony përmes postimit të tij në rrjetet sociale.