Në Podujevë ka dështuar sërish zgjedhje e kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal. Nëse dështon edhe njëherë zgjedhje e kryesuesit, Kuvendi Komunal duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ka dështuar edhe tentativa e dytë për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal në Podujevë.
LDK si parti me grupin më të madh të kuvendarëve nuk ka propozuar kandidat për kryesues të Kuvendit Komunal, derisa as PDK e AAK abstenuan në dy raundet e para derisa nuk morën pjesë fare në raundin e tretë.
Kryetari i komunës Shpejtim Bulliqi thotë se nuk janë të interesuar për zgjedhje të reja, por nëse ato ndodhin fajin sipas tij do ta ketë opozita.
“Ndoshta dikujt do t’i konvenonte që Kuvendi Komunal të shkojë në zgjedhje të reja për asamble, por jo edhe neve si Lëvizje Vetëvendosje dhe si ekzekutiv. Ne jemi të interesuar që të shkojmë tutje në këtë proces dhe nuk duam t’i maltretojmë qytetarët me zgjedhje të reja, por nëse opozita që tashmë e ka shumicën që po e pengojnë punë e Kuvendit, vendosin ndryshe mund të shkojmë në zgjedhje. Barra dhe përgjegjësia le të mbetet mbi ta”, deklaroi Bulliqi në RTV Dukagjini.
Asamblisti i LDK-së thotë se barra për konstituimin e Kuvendit mbetet te ekzekutivi, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Gazmend Islami, asamblist nga Balli Kombëtar thotë se LVV e LDK po luajnë lojë politike.
“Partia që ka fituar zgjedhjet e di që nuk e ka shumicën dhe nuk dëshiron të bëjë koalicione”.
Seanca është shtyrë për të enjten në ora 10:00 dhe nëse nuk arrihet zgjedhja e kryesuesit deri në fund të javës Podujeva shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvend Komunal.