Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim ka publikuar punimin “Destabiliteti politik në Kosovë – Implikimet për sigurinë humane të popullatës”.
Hulumtimet nga ky punim ka vënë në pah si fajtor kryesor për progresin e ngadalshëm të sigurisë njerëzore, destabilitetin politik të viteve të fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Frank Hantke nga “FES Prishtina” tha se sot në botë ka shumë vatra lufte, si Krimeja dhe Siria, andaj duhet angazhim i gjithëmbarshëm që një gjë e tillë të mos ndodhë edhe në Ballkan.
“E kemi Krimenë, Sirinë dhe nuk dëshirojmë të kemi një të tillë në Ballkan. Ne duhet të fokusohemi në qytetarët dhe në pikëpamjen e tyre për sigurinë. Për ata nuk është e rëndësishëm se si duket linja kufitare, kjo është lojë e politikaneve. Për ta është e rëndësishme të kenë një punë, të kenë universitete me sistemin e Bolonjes dhe jo të kursejnë paratë që viteve të ardhshme të mund të qojnë në universitet fëmijët e tyre”, ka thënë ai.
Ndërsa, Besa Kabashi – Ramaj nga Qendra për hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, tha se ky punim është analizë e situatës së sigurisë në Kosovë.
Sipas saj derisa shteti nuk ofron siguri njerëzore atëherë qytetarët nuk mund të jenë aktivë në shoqëri dhe sitë tillë nuk sigurojnë demokracinë e duhur për një shtet.
“Nuk ka demokraci pa qytetarë aktiv, pjesërisht demokracia ka dështuar për shkak të mungesës së qytetarëve aktiv. Mirëpo jo me fajin e tyre sepse institucionet nuk i kanë ofruar siguri njerëzore. Nëse bëhet krahasimi me të ardhurat e qytetarëve me atë të kostos se sa ka nevoje të furnizohet me ushqim, edhe dy rroga nuk e plotësojnë këtë nevojë të sigurisë njerëzore bazike”, ka thënë ajo.